“Çdo vendim tjetër do të ishte fatal për ne si shtet”- 5 vjet pas arrestimit të Thaçit dhe të tjerëve, kritika ndaj Speciales e thirrje për lirimin e tyre

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, sot bëjnë pesë vite nga dita kur janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë dhomat e Specializuara të Kosovës. Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si…

Lajme

05/11/2025 16:05

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, sot bëjnë pesë vite nga dita kur janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Deputeti i VV-së, ish i burgosuri politik dhe njëri nga të mbijetuarit e Masakrës së Dubravës, Enver Dugolli ka thënë se lufta e UÇK-së ishte dhe mbetet një luftë e drejtë, dhe si e tillë do të kujtohet gjithmonë.

“Askush nuk mund t’i vërë njollë përpjekjes tonë për liri. Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve nga Prokuroria Speciale dhe Dhomat e Veçanta është tejzgjatur në mënyrë të papranueshme. Qëndrimi kaq i gjatë në paraburgim është i padrejtë; ai dëmton besueshmërinë e një gjykimi të drejtë dhe cenon të drejtat e njeriut të garantuara nga konventat ndërkombëtare”, ka thënë Dugolli.

Ai ka thënë se beson që i ka ardhur fundi këtij procesi, ndërsa është shprehur i bindur që vendimi i Gjykatës do të nxjerrë drejtësinë në dritë për të gjithë të akuzuarit.

“Serbia mban përgjegjësi për humbjen e mijëra jetëve të pafajshme. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë përgjegjësinë dhe vuajtjet që shkaktoi shteti i Serbisë. UÇK-ja lindi nga populli me mision çlirimin e vendit dhe nuk ka qenë kurrë “ndërmarrje kriminale””, ka shtuar Dugolli.

Që qëllimi i Gjykatës Speciale nuk ishte vendosja e drejtësisë në vend, tha edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Ajo për lajmi.net ka thënë se ky proces ka qenë një farsë politike e jo një gjykim mbi parimet e drejtësisë.

“Si një politikane që ka qenë gjithmonë kundër krijimit të kësaj gjykate, nuk është se kam pritur që kjo gjykatë të më befasoj për mirë, por të them të drejtën nuk e kam pritur po ashtu që kjo gjykatë të ishte kaq denigruese. Përgjatë gjithë procesit ne na është servuar një tablo tragjike e cila për fat të keq nuk po mbaron. Pesë vjet heqje lirie mbi bazën e thashethemeve, inateve, fabrikimeve etj., është një krim i vërtetë. Dhe krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk po i bëhet padrejtësi vetëm nga kjo gjykatë e cila tashmë ka dalë zbuluar se kujt i shërben. Atyre po u bëhet një padrejtësi e pafalshme edhe nga institucionet tona shtetërore, nga qeveria aktuale dhe nga ndjekësit e saj. Mos angazhimi i qeverisë, ndërprerja e fondeve për mbrojtjen e tyre, narrativa e sponzorizuar për të demonizuar ato figura kyçe të historisë më të lavdishme të kombit janë të frikshme. Pra, vlerësimi im për këtë proces gjyqësor është se përveç që është i padrejtë tejpërtej, është edhe një pasqyrë që nxjerrë në pah shëmtinë e qeverisë sonë karshi vlerave tona më të larta si komb dhe si shtet”, ka thënë Musliu për lajmi.net.

Ajo ka uruar që të gjithë ata që po mbahen në Hagë të kthehen të lirë në Kosovë, “atdheun e tyre që kanë dhënë gjithçka nga vetja”, ndërsa ka thënë se pret që ky proces të përfundoj dhe epilogu të jetë në favor të krerëve të UÇK-së dhe të historisë, pasi sipas saj nuk kemi parë fakte që dëshmojnë të kundërtën.

“Çdo vendim tjetër do të ishte fatal për ne si shtet, për historinë tonë por pa dyshim edhe për normat e drejtësisë ndërkombëtare. Edhe pse Kosova e krijoi vet, kjo gjykatë ishte gjatë gjithë kohës jashtë çdo kontrolli. Ne nuk arritëm të krijonim mekanizma mbikëqyrës parlamentarë as atëherë kur krerëve të UÇK-së atje po u shkeleshin të drejtat themelore, as kur nuk po respektoheshin simbolet e shtetit tonë dhe as kur rrodhën informata se si prokurorë, gjyqtarë dhe bashkëpunëtorë të kësaj gjykate kishin vepruar njëanshëm. Ne nuk arritëm të reagonim si shtet as kur u përdor termi organizatë e përbashkët kriminale dhe as kur u vërtetua se kjo gjykatë po u referohej materialeve të regjimit gjenocidial serb. Pra, ne heshtëm kur nuk duhej të heshtnim. Megjithatë pres që Hashim Thaçi me shokë të shpallen të pafajshëm sepse çdo vendim tjetër do të ishte një goditje fatale ndaj luftës, lirisë dhe pavarësisë”, ka thënë Musliu.

Gjykata Speciale në Hagë në vazhdimësi nga akterë politikë është parë si politike dhe që nuk ka qëllim drejtësinë.

Sot, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka publikuar letrën që i kishte dërguar Trëndafilovas më 2022, ku kishte kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim. Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet. Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar. E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre.”, ka shkruar Kurti sot në Facebook.

Ndërsa gjykimi në Hagë po i afrohet fundit, kërkesat për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së po bëhen gjithnjë e më të zëshme. Për shumë qytetarë në Kosovë, ky proces shihet si një padrejtësi ndaj luftës çlirimtare dhe sakrificës për liri, ndërsa pritja e gjatë për drejtësi po shihet si test i rëndësishëm për vetë sistemin ndërkombëtar të drejtësisë. /Lajmi.net/ 

Fotografia nga protesta e OVL-UÇK-së në Prishtinë