Zyra e BE-së në Kosovë e konfirmon se është therur me thikë një zyrtar i tyre në Gjakovë: Jemi të tronditur nga ky lajm

Një person, shtetas i huaj ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF në Gjakovë, pasi është therur me thikë dhe i janë shkaktuar dy plagë. Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ka thënë se viktima është dërguar në QKUK dhe rasti po hetohet. “NN.04.11.2025-19:57. Viktima mashkull shtetas i huaj ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF Gjakovë,…

Lajme

05/11/2025 12:19

Një person, shtetas i huaj ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF në Gjakovë, pasi është therur me thikë dhe i janë shkaktuar dy plagë.

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ka thënë se viktima është dërguar në QKUK dhe rasti po hetohet.

“NN.04.11.2025-19:57. Viktima mashkull shtetas i huaj ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF Gjakovë, pasi që i njëjti kishte dy plagë të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Viktima me udhëzim të mjekut kujdestar është dërguar në QKUK. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24 orësh. 

Viktima është zyrtar i Zyrës së BE-së në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Zyra e BE-së e ka konfirmuar këtë për lajmi.net dhe kanë thënë se janë të tronditur nga ky lajm.

“Jemi të tronditur nga ky lajm dhe i urojmë stafit të përfshirë shërim të shpejtë dhe të plotë”, kanë thënë nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Ata kanë thënë se nuk mund të japin detaje pa përfunduar hetimet.

“Një hetim është duke vazhduar dhe autoritetet po përcaktojnë faktet. Meqenëse ky është një hetim aktiv, nuk jemi në gjendje të japim detaje të mëtejshme në këtë kohë”, kanë thënë mes tjerash nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Detaje rreth gjendjes së tij shëndetësore ka dhënë drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci.

“Lëndimet janë kryesisht në kokë dhe është si politraumë, lëndimet janë në kokë dhe janë në gjoks. Ka plagë prerësë shpuese, ka në regjinonin e veshit të majt dhe janë edhe dy plagë në regjinonin e gjoksit djathtas. Për momentin gjendja është krejt stabile, dhe besojë që ka me qenë edhe në orët në vijim. Momentalisht është stabile, por pavarësisht kësaj ka pasur lëndime të rënda”, ka thënë Kolgeci për Indeksonline.

Në media është raportuar se zyrtari i cili është therur me thikë është Stefan Ilianov Sheynov, i cili gëzon imunitet diplomatik. /Lajmi.net/