“Më bindën se kanë gjasë t’i bëjnë numrat”, të gjitha zhvillimet pas mandatimit të Glauk Konjufcës për formimin e Qeverisë

Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje të martën mbajti mbledhje, gjersa pas përfundimit të saj njoftoi se kanë propozuar Glauk Konjufcën për mandatar të dytë për formimin e qeverisë. Konjufca në një fjalim të mbajtur para anëtarëve të Këshillit të LVV theksoi se pranon këtë nominim dhe është i gatshëm të marrë mandatin për kryeministër. Sipas tij,…

Lajme

05/11/2025 08:18

Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje të martën mbajti mbledhje, gjersa pas përfundimit të saj njoftoi se kanë propozuar Glauk Konjufcën për mandatar të dytë për formimin e qeverisë.

Konjufca në një fjalim të mbajtur para anëtarëve të Këshillit të LVV theksoi se pranon këtë nominim dhe është i gatshëm të marrë mandatin për kryeministër.

Sipas tij, kjo përgjegjësi është një thirrje nga detyra publike:

“Këtë e bëj si thirrje nga detyra e cila na shndërron në shërbëtor të interesit publik. LVV-ja e ka definuar këtë interes në dy shtylla në rrethanat aktuale. Shmangia e dy palë zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh dhe së dyti, votimin e buxhetit për vitin 2026, pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të qytetarëve tanë prej mbi 80 mijë pagave të sektorit publik, pensionet e shtesat e fëmijëve, deri te projektet ekzistenciale për shoqërinë tonë. Do të ishte e pafalshme nëse për shkak të tekave të partive politike e humbim mundësinë e përfitimit të benefitve qindra milionëshe duke u krekosur se po shkojmë në zgjedhje. Edhe dy procese tjera nuk na presin, RTK-ja mbet pa pagat e tyre e po ashtu nuk ka kurrfarë afat shtesë për buxhetin e tri komunave”, u shpreh Konjufca.

Çështje të tjera që janë me urgjencë për miratim tha se janë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, buxheti për transmetuesin publik të Kosovës dhe buxhetet për tri komuna: Prishtina, Gjilani, Zubin Potoku.

“Partitë e tjera e kanë në dorë nëse duan të bëjmë zgjedhje tani. Por, mua më duket se shpata e gjykimit është më e mprehtë se më parë”, tha tutje Konjufca.

E po të martën, presidentja ka takuar në orët e paradites liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe më pas atë të PDK-së, Memli Krasniqi dhe të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Pse Haradinaj nuk shkoi në takim me Osmanin?

Pas takimeve të zhvilluara, e para e shtetit Vjosa Osmani ka mbajtur një konferencë për media ku njoftoi se ia ka dhënë mandatarin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Në një deklaratë për media, Osmani theksoi se Kushtetuta e Kosovës e detyron presidentin të emërojë mandatarin e dytë në rast se përpjekja e parë dështon.

“Kushtetuta nuk thotë ‘mund të emëroj’, por thotë ‘emëron kandidatin tjetër’ në rast se dështon i pari. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten e vendit ta emërojë mandatarin e dytë,” tha Osmani.

Ajo shtoi se vendimi i saj është në përputhje me tri aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese dhe neni 95.4 të Kushtetutës.

“Kushtetuesja nuk thotë mund të emërojë, por emëron nëse dështon i pari. Kushtetua nuk i lë hapësirë presidentes për mos-emërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një mandatar. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten ta emërojë kandidatin e dytë”, ka thënë ajo.

Osmani theksoi se LVV-ja e ka bindur se ka gjasa që ta formojë ekzekutivin, ndërkaq tha se garanci nuk i ka dhënë sepse nuk kërkohet me Kushtetutë.

Nëse do të kishte dy kandidatë, Osmani tha se asaj do t’i duhej të bindej se kush nga ta ka më shumë gjasa për formimin e ekzekutivit.

“Askund në Kushtetutë dhe aktgjykime nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa dhe ka dallim të madh mes garancisë dhe gjasës. Garancia jepet në Kuvend, kurse gjasat ofrohen në zyrën time. Sikur të ishin dy apo më shumë kandidatë unë duhet ta shihja se kush i ka gjasat më të mëdha. Nga LVV-ja kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre që t’i bëjnë votat. Mua më takon që të bindem që kanë gjasa dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, tha Osmani.

“Askund në Kushtetutë nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa, dhe ka dallim të madh mes garancisë dhe gjasave. Garancia jepet në Kuvend prandaj edhe kërkohen votat aty, ndërsa gjasat ofrohen në zyrën time,” tha Osmani.

Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se kandidati i propozuar nga LVV-ja, Glauk Konjufca, disponon të gjitha votat që Kurti i kishte marrë vetë më 26 tetor në Kuvend, pra 56 vota.

“Konjufca i ka të gjitha votat që i kam pasur unë. Ju e dini që më 26 tetor në Kuvend unë mora 56 vota. Ato i ka sigurt edhe Glauku, ndoshta ka edhe më shumë, por më pak nuk mund të marrë. Maksimumi im është minimum i Glaukut, prandaj le të përpiqemi maksimalisht”, tha Kurti.

Ai shtoi se nuk sheh mundësi për koalicion me partitë tjera për formimin e Qeverisë së re.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.

Pasi LVV prezantoi mandatarin e dytë pati reagime edhe nga partitë tjera, PDK, LDK e AAK.

Partia Demokratike e Kosovës vlerësoi se vendi ndodhet përpara një momenti vendimtar politik dhe institucional, që kërkon vendime të qarta, të përgjegjshme dhe në përputhje me realitetin politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Në një situatë ku është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, kanë shprehur qëndrimin e prerë se nuk kanë votë për një mandatar tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të përbënte humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione”, thuhet në reagimin e tyre.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar qeverinë e re.

LDK-së theksoi tutje se shtyrjet procedurale dhe interpretimet e stisura vetëm sa thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës.

“LDK-ja apelon për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore. Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese e marrëveshjeve të paqarta, por përmes kthimit te sovrani, te qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri”, thuhet në njoftim.

Lidhur me zhvillimet reagim ka pasur edhe nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai në një postim në Facebook shkruan se presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme.

“Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike”, tha ai.