Slot: Ndeshja me Real Madridin është test i madh për ne

Trajneri i Liverpool, Arne Slot, ka thënë se skuadra e tij shkon me besim në ndeshjen me Real Madrid me besim, pasi në përballjen e fundit e kishte mposhtur. Skuadra angleze e pret të martën ndeshja me skuadrën spanjolle. Liverpool së fundmi ka fituar ndaj Aston Villa, dhe kjo ka qenë vetëm fitorja e dytë në tetë…

Sport

03/11/2025 23:45

Trajneri i Liverpool, Arne Slot, ka thënë se skuadra e tij shkon me besim në ndeshjen me Real Madrid me besim, pasi në përballjen e fundit e kishte mposhtur.

Skuadra angleze e pret të martën ndeshja me skuadrën spanjolle.

Liverpool së fundmi ka fituar ndaj Aston Villa, dhe kjo ka qenë vetëm fitorja e dytë në tetë ndeshje në të gjitha garat, ndërsa Arne Slot është nën presion të madh për rezultate.

Trajneri holandez ka thënë se shpreson që ndeshja ndaj Real Madrid do ta konfirmojë kthesën pozitive.

Sipas tij, kjo ndeshje është një test shumë i rëndësishëm, sidomos tani që Real është më i kompletuar dhe pa mungesa të mëdha si herën e kaluar.

Slot ka folur edhe për rikthimin e Trent Alexander-Arnold në “Anfield”, për herë të parë pasi u largua drejt Real Madrid këtë verë. “Trent do të ketë një pritje të ngrohtë nga ana ime. Kam vetëm kujtime pozitive për të si lojtar dhe si njeri. Ka qenë zëvendëskapiteni im dhe e kam parë gjithmonë si profesionist të madh. Për tifozët nuk di, por nga unë do të ketë mirëseardhje të ngrohtë”, ka thënë Slot.

Slot e ka konfirmuar se portieri Alisson Becker, mbrojtësi i djathtë Jeremie Frimpong dhe sulmuesi Alexander Isak nuk do të jenë të gatshëm për duelin ndaj Real. “Alisson dhe Frimpong nuk do të jenë as për ndeshjen e së dielës ndaj Manchester City. Për Isak duhet të presim, nuk nis ndeshjen, ndoshta mund të jetë në skuadër, por nuk ka ushtruar ende me grupin”, ka sqaruar ai.

Slot ka shtuar se formacioni ndaj Real Madrid nuk do të ndikohet aspak nga ndeshja e së dielës ndaj Manchester City në Premier League. “E rëndësishme është që fituam të shtunën. Çdo ndeshje është test për ne. Nuk mendoj fare për City kur vendos formacionin për nesër”, ka thënë tekniku holandez.

Duke folur për Florian Wirtz, i cili ka tri asistime dhe është ende pa gol te Liverpool, Slot ka thënë se është normale që një lojtar njëzet e dy vjeçar të kërkojë kohë të përshtatet me Premier League. “Ai ka cilësi, krijon shumë për ekipin. Golin do ta gjejë. Premier League është shumë më intensive se liga prej nga vjen”, ka thënë Slot.

Ai ka folur edhe për Gravenberch, autorin e golit ndaj Villa. “Nuk i kam thënë të gjuaj më shumë, por këtë javë pati pak fat dhe topi u devijua në gol”, është shprehur Slot.