Xhelal Sveçla rrezikon urdhër-arrest, seanca ndaj tij dhe deputetëve të VV-së shtyhet

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars 2018. Seanca u shty për shkak të mungesës së Sveçlës, i cili ka arsyetuar mungesën me…

Lajme

31/10/2025 10:40

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars 2018.

Seanca u shty për shkak të mungesës së Sveçlës, i cili ka arsyetuar mungesën me shkrim, transmeton lajmi.net.

Trupi gjykues vendosi që seanca të mbahet më 16 janar 2026 dhe paralajmëroi se në rast mungese, do të lëshohet urdhër-arrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit për të tre pandehurit.

Të pandehurit Zyba dhe Pacolli-Dalipi deklaruan se do të dërgojnë arsyet e mungesave të tyre më parë në formë të shkruar.

Gjyqtari Sabit Sadikaj bëri të ditur se seanca e sotme nuk mund të mbahet pasi mungojnë kushtet ligjore për zhvillim.

Lajmi.net raportoi para fillimit të seancës që Sveçla mungon për shkak se gjendet jashtë vendit, saktësisht në Sarajevë./lajmi.net/