Njohësit e ekonomisë për premtimin për pagë minimale 500 euro nga Qeveria Kurti: Fushatë elektorale mashtruese

Pas ekspozesë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti në Kuvend, ku premtoi se nëse merr mandatin për ta formuar qeverinë do ta rrisë pagën minimale në 500 euro që nga janari, të enjten ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka zhvilluar një takim me përfaqësues të sindikatave dhe komunitetit të bizneseve për të diskutuar…

Lajme

31/10/2025 09:02

Pas ekspozesë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti në Kuvend, ku premtoi se nëse merr mandatin për ta formuar qeverinë do ta rrisë pagën minimale në 500 euro që nga janari, të enjten ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka zhvilluar një takim me përfaqësues të sindikatave dhe komunitetit të bizneseve për të diskutuar dhe koordinuar hapat për realizimin e këtij premtimi.

Sipas njohësve të ekonomisë, kjo nismë vjen në kohë të balotazhit të zgjedhjeve lokale dhe parapërgatitje për të blerë vota në emër të rritjes së pagave për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Sipas tyre, Qeveria në detyrë nuk ka kompetenca ekzekutive për të marr vendime të tilla dhe krejt kjo është fushatë elektorale nga partia e Albin Kurtit.

Shala: Qeveria në detyrë s’mund të rrisë pagat, është veç fushatë mashtruese

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati për sic thotë ai “mashtrimin e radhës” ndaj punëtorëve, pas deklarimeve për rritjen e pagës minimale në 500 euro.

“Ekspozeja e Kurtit dhe deklarimet e sotme të Muratit janë mashtrimi i radhës i ulët me kategorinë meritore që janë punëtorët se nuk kanë kompetencë e as mekanizëm institucional që të realizojnë një gjë të tillë”, ka thënë Shala.

Ai ka deklaruar se Kurti dhe Murati po përdorin çështjen e pagave për qëllime elektorale, në prag të balotazhit dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Është mashtrim se nuk mund të premtosh ngritje pagash ai që nuk është në rolin dhe funksionin e ekzekutivit të qeverisë. Premtime elektorale për të mashtruar elektoralin në prag të balotazhit dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme duke keqpërdorur emrin e shtetit me këso logjike”, potencoi Shala për Front Online.

Shatri kritikon Kurtin: “Natën e Bajramit nuk mbahet kurbani”, 500 euroshi manovër për vota

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri për FO ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti gjatë ekspozesë në Kuvend, ku ky i fundit tha se nëse merr besimin e deputetëve për ta formuar qeverinë, do ta rrisë pagën minimale në 500 euro nga janari.

Shatri e ka quajtur këtë premtim një veprim elektoral, duke thënë se “natën e Bajramit nuk mbahet kurbani”.

“Natën e bajramit nuk mbahet kurbani, LVV e propozojnë 500 euro pagën minimale në fushatën e dytë për zgjedhje lokale për me i fituar disa vota, nuk është koha me marr këso vendime që 5 vite kanë pasur kohë me marr këso vendime. Moti e kemi kërkuar pagën minimale 500 euro”, u shpreh ai.

Sipas tij, Vetëvendosje po përpiqet ta mbajë pushtetin me dhunë dhe përkundër ligjeve.

“Janë hyrë në kohën kur nuk kanë kompetencë me marr vendime. Po duan me mbajt pushtetin me dhunë përkundër ligjeve dhe me marr vendime sipas mendimeve të tyre”, deklaroi Shatri.

Eksperti i ekonomisë: Vendimi për pagën minimale vjen në kohë elektorale, kërkon reforma fiskale

Si hap pozitiv e ka vlerësuar njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri dakordimin ndërmjet Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati dhe përfaqësuesve të sindikatave për rritjen e pagës minimale në 500 euro.

Megjithatë, ai u shpreh se ky vendim vjen në një periudhë elektorale dhe duhet të shoqërohet me reforma të thella fiskale.

“Dakordimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro është një hap pozitiv dhe i mirëpritur, ndonëse vjen në një periudhë elektorale. Megjithatë, ky vendim është i domosdoshëm duke pasur parasysh nivelin e lartë të inflacionit që po ndikon në fuqinë blerëse të qytetarëve. Rritja e pagës minimale duhet të shoqërohet me reforma të thella fiskale, të cilat kanë munguar për gati një dekadë”, thotë ai.

Beqiri ka theksuar disa masa të nevojshme për të balancuar efektet e inflacionit dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.

“Thelbësore është rishikimi i normave të TVSH-së për shportën e konsumit, zgjerimi i listës së produkteve me normë të reduktuar, si dhe heqja e përkohshme e TVSH-së për disa produkte bazike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetesën e qytetarëve”, u shpreh Beqiri.

Në 2024 është rritur për herë  të fundit paga minimale në Kosovë, ku aktualisht është 350 euro.