Muharremi: Është korrupsion zgjedhor në kohë fushatash me ndërmarrë veprime të tilla si kjo e fundit me pagën minimale

Analisti ekonomik Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të Qeverisë në detyrë për ta rritur pagën minimale, duke e cilësuar këtë veprim si një formë të “korrupsionit elektoral”. Sipas tij, një vendim i tillë po merret në mënyrë të paligjshme dhe në një kohë kur pritet që shumë shpejt të shpallen zgjedhjet e reja…

Lajme

30/10/2025 16:18

Analisti ekonomik Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të Qeverisë në detyrë për ta rritur pagën minimale, duke e cilësuar këtë veprim si një formë të “korrupsionit elektoral”. Sipas tij, një vendim i tillë po merret në mënyrë të paligjshme dhe në një kohë kur pritet që shumë shpejt të shpallen zgjedhjet e reja nacionale.

Në një analizë të publikuar në rrjete sociale me titull “Nga paga minimale te korrupsioni maksimal elektoral”, Muharremi thotë se rritja e menjëhershme e pagës minimale, pa studime të mirëfillta mbi ndikimin ekonomik, mund të dëmtojë seriozisht bizneset vendore dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Paga minimale ishalla shkon në 700, 800 e 1,000 euro. Por kjo nuk mund të bëhet përmes vendimeve të pamenduara e pa përgatitje. Nuk mund ta shkatërrojmë ekonominë me masa populiste. Duhet ta fuqizojmë biznesin që pastaj ta ngarkojmë me përgjegjësi më të mëdha”, shkruan Muharremi.

Sipas tij, qeveria po përpiqet të fitojë mbështetje politike përmes shpërndarjes së mjeteve publike dhe vendimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në elektorat, siç është rritja e pagës minimale apo shpërndarja e bonuseve para zgjedhjeve.

“Po ua merrni paratë bizneseve që janë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe po i konvertoni ato në vota për vete. Kjo është forma më e lartë e korrupsionit elektoral që kemi parë deri më tani”, thekson ai.

Muharremi paralajmëron se masa të tilla mund të çojnë në rritje të kostove për bizneset, ulje të konkurrueshmërisë, rritje të importit dhe përkeqësim të deficitit tregtar. Ai thotë se një politikë e tillë e dëmton prodhimin vendor dhe nxit migrimin e mëtejmë të fuqisë punëtore.

“Në vend që ta ushqejmë dhe përkrahim ekonominë, po sillemi sikur me një lopë që i marrim qumështin pa e ushqyer. Kështu bizneset vendore do të dështojnë”, përfundon ai.

Sipas Muharremit, vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në strukturën ekonomike të vendit nuk duhet të merren në kohë fushatash zgjedhore, por vetëm pas analizave të mirëfillta dhe në përputhje me ligjin.

Postimi i plotë: 

Nga Paga Minimale te Korrupsioni Maksimal Elektoral
Paga minimale ishalla shkon në 700, 800 e 1,000 euro. Kostoja e jetës është bërë e lartë, e papërballueshme për shumë familje nga inflacioni astronomik i viteve të fundit. Shumica e familjeve po e financojnë rritjen e çmimeve me borxhe nga bankat.
Kostoja e lartë e energjisë nga keqmenaxhimi publik ka krijuar një valë të re inflacioni mbi një inflacion që e kemi pasur historikisht më të lartën. Nuk ka dyshim që kushtet socio-ekonomike janë të vëshitra për qytetarët dhe familjet kosovare.
Por kjo nuk do të thotë që ne duhet ta shkatërrojmë edhe më shumë ekonominë me masat dhe veprimet që i ndërmarrim. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe mos të bëjmë edhe më shumë dëme. Njëherë duhet të fuqizojmë dhe përkrahim bizneset që të rrisim ekonominë qëndrueshëm dhe në mënyrë cilësore, pastaj t’i vendosim kushtet asaj. Pra njëherë e kultivon, investon në biznese, pastaj mundesh edhe me jau rritë taksat dhe barrën atyre ndoshta.
Kur ia rrit biznesit dhe ekonomisë vendore koston e energjisë dhe operacioneve të tjera… e kur ia rrit edhe pagën minimale, kjo nënkupton që ti po i bën zullum të madh.
Në vend se të krijosh kushte të mira për bizneset, prodhuesit e shërbyesit tanë, ti vetëm po ua vështirëson punën. Kjo nënkupton që importi vazhdon të rritet, sepse bizneset tona po bëhen më pak konkurruese në treg.
Fundja, është korrupsion zgjedhor në kohë fushatash me ndërmarrë veprime të tilla si kjo e fundit me pagën minimale. Ka qenë korrupsion me dhënë bonuse nga 100 euro para zgjedhjeve nacionale, e gjithashtu edhe tani për zgjedhjet lokale.
Por e fundit me pagën minimale është niveli më i lartë dhe më i papërgjegjshëm i korrupsionit elektoral që kemi parë ndonjëherë deri më tani nga partia në pushtet. Ku po i merrni këto para që po i shpërndani? Mesiguri me qenë mjetet e juaja private kishit vepruar më me përgjegjësi.
Pra, po ua merrni paratë bizneseve që janë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe po i konvertoni ato në vota për vete. Kjo është ajo që po ndodhë në pika të shkurta. E si dëm kolaterale, po e rrezikoni edhe më shumë ekonominë dhe bizneset vendore.
Vendime si kjo nuk merren brenda natës dhe në kohë fushatash zgjedhore. Ato duhet me i mendu mirë dhe me i konsideru të gjitha opcionet dhe pasojat. Asnjë studim mbi ndikimin e vendimit nuk është bë. Kështu, me këtë stil paushall, po goditet vazhdimisht ekonomia dhe bizneset vendore për interesa të ngushta elektorale dhe për disa vota më shumë.
Veprime si kjo e rrisin importin dhe deficitin në mallra, edhe ashtu jashtëzakonisht të lartë, sa gjysma e ekonomisë tashmë, si dhe do të krijojnë një lloj presioni të tillë për bizneset vendore saqë disa prej tyre do të rrezikojnë të mbyllen. Një akt i ulët me motive korruptive zgjedhore.
Rritet presioni mbi bizneset vendore, rritet importi dhe deficiti, dalin më shumë mjetet jashtë Kosovës dhe thellohet kriza e likuiditetit e kjo gjeneron gjitashhtu migrim dhe kriza politike.
Bizneset dhe ekonominë vendore duhet ta përkrahim fillimisht. Të investojmë seriozisht me miliarda dhe t’i japim sa më shumë… e jo vetëm t’ua marrim ato pak resurse që kanë.
Ngjashëm sikur një lope t’ia marrësh qumështin vazhdimisht pa e ushqyer e pa u kujdesur për të, ajo do të dështojë dhe eventualisht do të ngordhë. Kjo po ndodh me bizneset dhe ekonominë vendore vitet e fundit. Po trajtohen si një lopë që i merr qumështin, por nuk e ushqen e nuk kujdesesh për të.
Këto praktika, kjo metodë e ndyrë dhe korruptive e qeverisjes ekonomike duhet të përfundojë sa më parë, dhe drejtimi ekonomik i Kosovës duhet të ndryshojë sa më shpejt aq më mirë./lajmi.net/