​Rama në Paris: Kosova është shtet për ne, por jo për Serbinë – ky është problem i madh

Kosova është shtet, por jo edhe për Serbinë dhe kjo është një problem i madh, deklaroi të enjten kryeministri shqiptar, Edi Rama. Gjatë Forumit të Paqes në Paris të enjten, Rama e cilësoi mosnjohjen e Kosovës nga Serbia si “problemin thelbësor” të rajonit. Ndërsa foli edhte për “ballkanizim të Evropës”, derisa ka folur edhe për…

Lajme

30/10/2025 15:37

Kosova është shtet, por jo edhe për Serbinë dhe kjo është një problem i madh, deklaroi të enjten kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Gjatë Forumit të Paqes në Paris të enjten, Rama e cilësoi mosnjohjen e Kosovës nga Serbia si “problemin thelbësor” të rajonit. Ndërsa foli edhte për “ballkanizim të Evropës”, derisa ka folur edhe për shqiptarët dhe italianët.

Ai ka thënë se Ballkani duhet të zgjedhë mes përçarjes dhe bashkëpunimit.

“Kosova është një problem sepse për ne është një shtet në të drejtën e vet. Por për Serbinë ose për vende të tjera nuk është. Ky është një problem i madh. Ose do të vazhdonim të rrinim me kokën pas, të ndiznim tensione dhe energji negative e të dëmtonim veten dhe ekonominë tonë — jemi tregje të vogla — ose të jemi bashkë. Alternativa tjetër ishte të mos binim dakord dhe të mos bashkëpunonim”, ka thënë Rama.

Ai shtoi se Evropa po përballet me të njëjtat sfida që dikur karakterizonin rajonin e Ballkanit, derisa shtopi se “tani jemi ne të mirët”.

“Evropa është ballkanizuar shumë. Mendoj që edhe Franca është ballkanizuar shumë — nuk po miratojnë dot një buxhet. Shihni Britaninë, është edhe më keq. Tani jemi ne të mirët, prandaj u them bëni paqe, mos kërcënoni, komunikoni, sepse vijmë nga ferri dhe ne jemi lajmëtarët… Nëse bota do të bëhet më e mirë, do të themi se ne bëmë punën tonë. Do të na jepet një vend në parajsë si shqiptarë”, theksoi ai.

Duke folur për marrëdhëniet me Italinë dhe rolin e Bashkimit Evropian, kryeministri shqiptar tha se “italianët janë shqiptarë të veshur me Versace”.

“Italianët janë shqiptarë të veshur me Versace. Keni kryeministre një grua të shkëlqyer dhe të mahnitshme. Ajo nuk është e gjatë, por më besoni që kur merr fjalën është më e gjatë se unë. BE-ja është projekti më i madh politik që njerëzimi ka përjetuar ndonjëherë”, tha ai.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Rama tha se është një bekim historik.

“Pas vitesh diktature gjakatare e varfërie, nëse BE-ja nuk do të ishte aty, do të kishim pasur të njëjtin fat si Afganistani apo kushdo tjetër. BE-ja është diçka që çdo evropian, përfshirë francezët, duhet ta gëzojnë si dhuratë nga etërit themelues — dhe që nuk duhet rrezikuar aspak”, tha Rama.

Në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, po merr pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti. Ai ishte i ftuari i diskutimit “Paqeruajtja në një udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”.