Dogana deklarohet rreth aksionit të mbrëmshëm anti-drogë, pjesë e aksionit edhe AKI-ja

Dogana e Kosovës është deklaruar rreth operacionit të përbashkët që rezultoi me sekuestrimin e rreth 250 kilogramëve të kanabisit, të fshehur në një automjet transportues, në Prishtinë. Aksioni madhor u realizua në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me përkrahjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Sipas komunikatës zyrtare, operacioni është zhvilluar gjatë orëve…

Lajme

30/10/2025 08:35

Dogana e Kosovës është deklaruar rreth operacionit të përbashkët që rezultoi me sekuestrimin e rreth 250 kilogramëve të kanabisit, të fshehur në një automjet transportues, në Prishtinë.

Aksioni madhor u realizua në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me përkrahjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Sipas komunikatës zyrtare, operacioni është zhvilluar gjatë orëve të pasdites në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku njësia e Antikontrabandës ka ndalur për kontroll një kamion që po udhëtonte në drejtim të Prishtinës.

Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët doganorë kanë përdorur pajisje profesionale të dhuruara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes të cilave kanë arritur të zbulojnë dhe demontojnë panelet e fshehura në automjet, ku ndodheshin substancat narkotike.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe njësitë e antidrogës së Policisë së Kosovës, si dhe Prokurorja kompetente. Personi i dyshuar është arrestuar, ndërsa hetimet dhe procedurat ligjore janë në zhvillim.

Dogana e Kosovës ka falënderuar AKI-në për bashkëpunimin dhe mbështetjen në këtë rast, duke theksuar se ky është një tjetër shembull i vendosmërisë së institucioneve të Kosovës për të luftuar kontrabandën dhe trafikimin e substancave të ndaluara, me qëllim mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe integritetit ekonomik të vendit.

https://www.facebook.com/share/r/14RvHMgcR4q/