Pranohen ankesat e kandidatëve për asamblistë Gentiana Bajrami- Atashi dhe Blerim Krasniqi, prishen vendimet e PZAP-së

Kolegji i Gjykatës Supreme i ka pranuar ankesat kandidatëve për Asamble Komunale, Gentiana Bajrami Atashi, nga subjekti politik: Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Blerim Krasniqi, nga subjekti politik: Nisma Socialdemokrate, dhe ka prishur vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duke kthyer çështjet në PZAP, në rivendosje. Sipas një njoftimi për media bëhet e…

Lajme

27/10/2025 15:58

Kolegji i Gjykatës Supreme i ka pranuar ankesat kandidatëve për Asamble Komunale, Gentiana Bajrami Atashi, nga subjekti politik: Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Blerim Krasniqi, nga subjekti politik: Nisma Socialdemokrate, dhe ka prishur vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duke kthyer çështjet në PZAP, në rivendosje.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pasi PZAP kishte refuzuar ankesën e parashtruar nga Gentiana Bajrami Atashi, për shkak të mungesës së votave, për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës të mbajtura me datën 12 Tetor 2025, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar verifikimin dhe hapjen e kutive të votimit në qendrat ku janë evidentuar mospërputhje.

“Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja e çështjes nuk e pranoi si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e PZAP, lidhur me refuzimin e ankesës së parashtruar nga kandidatja”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se kolegji i Gjykatës Supreme vlerëson se PZAP, me rastin e shqyrtimit të ankesës nuk ka vepruar në pajtim me nenin 117 [Procedurat e PZAP-së] par.4 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ku përcaktohet se: “PZAP-ja mund të urdhëroj rinumërimin e fletëvotimeve në një vendvotim apo qendër votimi si dhe shqyrtimin e materialit votues si pjesë të hetimeve për ankesën e parashtruar”, si dhe nenin 15 [Zhvillimi i Hetimeve të Materialit Zgjedhor] par.3, pika 3.1 të Rregullores 01/2025 për Procedurat e Parashtrimit dhe Vendosjes së Ankesave, ku përcaktohet se: “3. Duke u bazuar në ankesat e paraqitura për shkeljet e supozuara në QNR, QKN, PZAP-i, mund t’i kryej këto hetime: 3.1 hetimi i kutisë së votimit”.

Ngjashëm PZAP kishte refuzuar ankesën e parashtruar nga Blerim Krasniqi, lidhur me parregullsitë gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit për Zgjedhjet Lokale, të mbajtura më datë 12 Tetor 2025. Ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar që e njëjta të miratohet, “bazuar në gjendjen faktike dhe në dispozita ligjore”.

Nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, Gjykata Supreme gjeti se PZAP, gabimisht ka vendosur ta refuzojë ankesën e parashtruar, duke argumentuar mes tjerash se “nuk mund të anashkalohet fakti i dëshmive që janë në dosjen e lëndës, sepse në proces zgjedhor dëshmi tjera palët nuk kanë mundësi të sigurojnë, për shkak të pamundësisë së qasjes në Qendrën e Numërimit”.