Haliti: Ka pakënaqësi brenda PDK-së- Memli Krasniqi duhet ta dijë se nuk është Thaçi, se nuk ka fuqinë që mos t’ia bëjë fjalën dysh askush
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka kritika të ashpra ndaj lidershipit aktual të partisë. Ai është i shqetësuar për drejtimin që ka marrë PDK-ja dhe për mungesën e reflektimit lidhur me disa vendime të diskutueshme, duke përmendur rastin e zgjedhjeve lokale në Drenas. Haliti thotë se kryetari aktual i partisë, Memli Krasniqi,…

Lajme
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka kritika të ashpra ndaj lidershipit aktual të partisë. Ai është i shqetësuar për drejtimin që ka marrë PDK-ja dhe për mungesën e reflektimit lidhur me disa vendime të diskutueshme, duke përmendur rastin e zgjedhjeve lokale në Drenas.
Haliti thotë se kryetari aktual i partisë, Memli Krasniqi, duhet ta ketë parasysh se “nuk është Hashim Thaçi dhe nuk është njeri aq i fuqishëm brenda strukturave sa të mos ia bëjë fjalën dysh askush”. Ai thekson se aktualisht në PDK ka pakënaqësi, ndërsa porosit se “ata që e shohin PDK-në si biznes dhe tentojnë që përmes partisë t’i trashin kuletat duhet të përshëndeten prej partisë”. Mirëpo, Haliti nuk përmend emra se kujt po i referohet. Përkitazi me këtë, ai thotë se PDK-ja duhet të mbajë zgjedhjet e brendshme partiake.
Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së thotë se pritjet për performancën e PDK-së në zgjedhjet lokale kanë qenë më të larta.
Ai vlerëson se Ramiz Lladrovci në Drenas e mundi kryesinë e PDK-së, e cila nuk e kandidoi sërish nën logon e partisë për kryetar të kësaj komune. Kjo çështje, sipas Halitit, duhet të diskutohet në organet partiake dhe madje duhet të ketë reflektim.
“Nga pritjet dhe ajo që ka ndodhur, nuk është realizuar ajo që ka pasur PDK-ja si dëshirë apo projekt për t’u realizuar. Kemi pasur histori të ndryshme brenda PDK-së që s’kanë pasur të kaluarën. Por kjo është fuqia që ia ka dhënë elektorati i saj… Kryetari i PDK-së duhet ta ketë parasysh se nuk është Hashim Thaçi. Nuk është njeriu i fuqishëm që nuk ia ka bërë dysh fjalën askush brenda partisë… Ramizi ka fituar kundër Kryesisë së PDK-së, pra e ka mundur Kryesinë e PDK-së dhe pjesën e degës së PDK-së në Drenas që kanë qenë kundër tij, kandidatin si dhe tre kandidatë të tjerë dhe ka fituar… Do të duhej të diskutohej dhe të reflektohej që të mos përsëriten ngjarje të tilla”, deklaron ai.
Duke theksuar pakënaqësitë brenda partisë, Haliti thotë se “ata që janë mësuar me tenderë dhe duan ta kenë partinë afër për tenderë nuk duhet të qëndrojnë në PDK”.
Ai përmend edhe një marrëveshje të bërë brenda PDK-së që procesi i brendshëm zgjedhor të ndodhë posa të përfundojnë zgjedhjet lokale.
“Ka pakënaqësi dhe normal që ka – shoqëri, gjenerata, dikush janë shokë klase, disa janë shokë biznesi, disa shokë të studimeve, disa shokë të luftës. Kjo është një bashkim i njerëzve dhe normalisht me shokët me të cilët ke qenë në klasë je më i afërt… Nuk e shoh partinë si biznes dhe ky është problemi. Ata që e shohin partinë si biznes dhe mendojnë se përmes partisë mund t’iu rriten kuletat duhet të përshëndeten me partinë. Kushdo qofshin ata. Ata që janë mësuar me tenderë dhe duan ta kenë partinë për tendera dhe duan të qëndrojnë në drejtim të partisë për shkak të tenderëve nuk duhet të qëndrojnë… PDK-ja e ka kaluar afatin e zgjedhjeve të reja. Kemi bërë një kuvend sa për të plotësuar anën ligjore të mbajtjes së një kuvendi. Kemi rikonfirmuar kryetarin dhe sipas marrëveshjes menjëherë pas zgjedhjeve duhet të fillojë procesi zgjedhor në tërë partinë dhe pastaj del edhe kryetari që zgjidhet në kongres”, deklaron ai.
Krahas kësaj, Haliti thotë se deputetët e PDK-së kanë gabuar që e kanë votuar Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit.
“Ka qenë gabim shumë i madh sepse kanë votuar së pari në kundërshtim me vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së dhe në kundërshtim me zotimet që i ka dhënë kryetari i partisë në mbledhjen e Këshillit të PDK-së. Nuk e di se nga ka ardhur urdhri dhe ideja për të votuar, pasi ka qenë gabim. Unë e njoh Bashën dhe s’kam personale asgjë, por shkrimi dhe angazhimi i tij për ta denigruar UÇK-në dhe njerëzit e UÇK-së para opinionit botëror ka qenë vepër e rëndë”, thekson Haliti.
Në anën tjetër, Haliti flet edhe për formimin e qeverisë së re, derisa mandatarit për kryeministër, Albin Kurtit, i ka mbetur edhe tri ditë kohë për të siguruar 61 votat e nevojshme për ekzekutivin.
Ai është skeptik se Kurti do t’i sigurojë votat për formimin e qeverisë së re, derisa thekson se pret që vendi të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare ose të formohet një qeveri teknike kalimtare.
Përkitazi me këtë, Haliti është i bindur se asnjë deputet i PDK-së nuk do të ketë votë për qeverinë Kurti III.
Sa i përket arsyetimit të Kurtit se ambienti politik në Kosovë është toksifikuar dhe ka shumë xhelozi e inat, Haliti deklaron se fajtori kryesor për një gjë të tillë është vetë ai.
“Kosova më mirë është që të shkojë në zgjedhje të parakohshme ose të jashtëzakonshme. Apo të bëjë një qeveri kalimtare apo teknike për t’ia krijuar Kosovës një mundësi të re… Nuk e besoj se deputetët e PDK-së do të votojnë ose do të futen në sallë për të votuar diçka që është në kundërshtim me qëndrimet e partisë… Nëse ka pasur gjuhë të toksifikuar dikush prej politikanëve në Kosovë, më toksike se ajo që e ka pasur Albin Kurti nuk ka pasur askush deri sot. Po e them nga të gjithë kryetarët e partive politike, ku Kurti është flamurtari i gjuhës toksike dhe toksinimit të ambientit politik në Kosovë. Në fund të zgjedhjeve ju e dini se si e quajti opozitën”, deklaron Haliti.
Në anën tjetër, duke folur për mundësinë e bashkëpunimit PDK–LVV në balotazhin e 9 nëntorit në zgjedhjet lokale, Haliti thotë se nëse ka marrëveshje për nivel qendror dhe pastaj kjo të reflektohet në nivel lokal, nuk do të ishte problem.
Mirëpo, sipas tij, nëse në nivelin qendror je në opozitë dhe kritikon Kurtin, ndërsa në nivelin lokal bashkëpunon në komuna të caktuara, kjo është anarki partiake.
“Nëse PDK-ja do të hynte në balotazh me Albin Kurtin, unë mendoj se edhe nëse hyn në pushtetin lokal bashkë, nuk prish punë. Por të jesh opozitë në qendër dhe të jesh në pushtet në Prishtinë, Pejë, Gjakovë apo kudo, mendoj se është anarki partiake kjo”, përfundon Haliti.