SarajevoTimes: Republika Serbe bllokuese e marrëdhënieve mes Bosnjës dhe Kosovës

Sarajevo Times shkruan të enjten për marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës, ku theksohet fakti se Republika Serbe vazhdon të jetë pengesë bllokuese e zhvillimit të këtyre marrëdhënieve. “Vendimi që lejon qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të hyjnë në Kosovë vetëm me kartë identiteti ka qenë në fuqi tashmë për dhjetë muaj. Masat reciproke nga…

Lajme

23/10/2025 13:02

Sarajevo Times shkruan të enjten për marrëdhëniet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës, ku theksohet fakti se Republika Serbe vazhdon të jetë pengesë bllokuese e zhvillimit të këtyre marrëdhënieve.

“Vendimi që lejon qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të hyjnë në Kosovë vetëm me kartë identiteti ka qenë në fuqi tashmë për dhjetë muaj. Masat reciproke nga BeH ende nuk janë zbatuar, pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara për bashkëpunim rajonal brenda Procesit të Berlinit”, raporton SarajevoTimes.

Lëvizja më e lehtë, pa viza, do të sillte përfitime konkrete për qytetarët, nëse nuk do të ishin politikanët që e vendosin veten mbi ekonominë dhe pengojnë proceset pozitive. Lidhja, jo ndarja, dhe integrimi i rajonit do të jenë pikërisht fokusi i Samitit në Londër, ku do të marrin pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të lartë evropianë.

Bosnja është vendi i vetëm në rajon që ka pezulluar ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Dokumenteve Personale brenda Procesit të Berlinit, të nënshkruar më 2022.

Bllokada vjen nga Kuvendi Kombëtar i Republikës Serbe (NARS). Kosova ka reaguar ndaj një veprimi të tillë në mënyrë diplomatike – duke njohur dokumentet e BeH-së që nga 1 janari i këtij viti, raporton SarajevoTimes.

“Kjo ka dy dimensione. Së pari, e shoh si të lidhur me politikën e brendshme të BiH-së, politikën nacionaliste të udhëheqësve në RS, dhe dimensioni i dytë është se RS nuk dëshiron të punojë për përmirësimin e marrëdhënieve në Ballkanin Perëndimor, dhe kjo nuk mund të vazhdojë kështu, pasi BeH ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, dhe kjo është një politikë paradoksale,” thekson Lulzim Peci, drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim Politik.

Veprimet nga Republika Serbe duket se janë të paqarta, madje jo të menduara mirë, nëse marrim parasysh që të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Serbinë, kanë lejuar kalimin e kufirit me Kosovën vetëm me kartë identiteti.

“Është pikërisht RS, pra përfaqësuesit e saj në institucionet e BeH-së, që insistojnë në një regjim vizash ndaj Kosovës, ndërsa, sipas hulumtimeve, nga 54 kompani, plot 50 nga RS eksportojnë mallra në Kosovë,” thekson Zijad Beçiroviç, drejtor i Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit.

“BeH është në një situatë bllokimi, e kushtëzuar nga rrethana të ndryshme të krijuara nga politikanët e RS-së, ku BeH nuk mund të zhvillojë lirshëm marrëdhënie me Kosovën, ndërkohë që kemi paradoksin se Serbia dhe Kosova po normalizojnë marrëdhëniet,” thotë Admir Lisica, drejtor i Qendrës për Kërkime Gjeopolitike.

Politika e Serbisë është e qartë: asgjë nuk mund të rrezikojë tregtinë e jashtme me Kosovën, e cila, mesatarisht, arrin rreth gjysmë miliard euro. Prandaj, fokusi është në ekonomi. Sa i përket BeH-së, pyetja është nëse veprime të tilla do t’i dëmtojnë diplomacinë, reputacionin dhe pozicionin ndërkombëtar të BeH-së.

“Në periudhën e ardhshme, mund të presim që marrëdhëniet të bëhen më të ndërlikuara, dhe ajo që ata e quajnë përfaqësimi serb brenda BeH-së do të kërkojë të marginalizojë vendin, ta bëjë të papunueshme dhe, përmes çështjeve të parëndësishme, të tregojë se nuk duan prosperitet, të ardhme apo shtet dhe ky është qëllimi, jo vetëm për Kosovën, por edhe për tema të tjera,” shpjegon Lisica.

“BeH është viktimë e një spektri rrethanash dhe politike për shkak të mosnjohjes së Kosovës. Në fund, po flasim këtu për politikë, ekonomi dhe lëvizjen e njerëzve, por duhet të dimë se të gjitha proceset pozitive në BeH ndaluan kur Kosova shpalli pavarësinë, dhe idetë e mëdha shtetërore besojnë se sa kohë që çështja e Kosovës nuk është zgjidhur, ka shpresë për të rishkruar kufijtë në Ballkan. Por kjo, në fakt, ka mbaruar, dhe ato janë ëndrra të kota,” përfundon Beçiroviç.

Pa një qëndrim të unifikuar, shteti i BeH-së po humbet në reputacion, por edhe ekonomikisht, ku në fund nuk janë ideologjitë që paguajnë çmimin, por qytetarët e vendeve të bllokuara mes kufijve dhe politikës.