Rigjykimi i tretë për vrasjen e 2017-ës në qendër të Prishtinës, dënohen me nga 16 vjet burgim dy të akuzuarit
Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykimin e tretë për rastin e vrasjes së N.S., në qendër të Prishtinës në nëntor të vitit 2017, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Arlind Ahmeti dhe Agron Vllasaliu, duke i dënuar me nga 16 vjet burgim. Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues me kryetar gjykatësin Alban…

Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykimin e tretë për rastin e vrasjes së N.S., në qendër të Prishtinës në nëntor të vitit 2017, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Arlind Ahmeti dhe Agron Vllasaliu, duke i dënuar me nga 16 vjet burgim.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues me kryetar gjykatësin Alban Ajvazi dhe anëtarë Gazmend Bahtiri dhe Sulltane Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata ricilësoi veprën penale nga “Vrasje e rëndë” në “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, për të cilën vepër dy të akuzuarit u dënuan me nga 12 vjet burgim. Ndërkaq, për “Armëmbajtje pa leje”, të akuzuarit u dënuan me nga 4 vjet e 6 muaj burgim. Ndaj tyre, u shpall dënim unik me nga 16 vjet burgim (për secilin veç e veç).
Në dënimin me burgim, të akuzuarve iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Me rastin e shpalljes fajtor për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga gjykatorja u larguan nëna, babai dhe vëllai i tani të ndjerit. Me këtë rast, nëna e të ndjerit iu drejtua gjyqtarit me fjalët “Marre të koftë çka jeni tu folë, marre të koftë, i mjeri ai në Tiranë çka i ka bo qatij, edhe ti qashtu je tu e lyp si ai në Tiranë…marre ju koftë krejtve- flaka i daltë këtij gjyqi”.
“Marre ju koftë”, tha edhe vëllai i viktimës.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 prill 2019, pasi që kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, të akuzuarin Arlind Ahmeti e kishte shpallur fajtor për shtytje në vrasje të rëndë, duke shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim. Kurse, Agron Vllasaliu gjendej në arrati.
Por, Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit 2019, kishte vendosur që ky rast të gjykohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit 2019, është në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Kurse, më 13 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë sërish e kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Agron Vllasaliu dhe Arlind Ahmeti, duke i dënuar me nga 21 vjet burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të tani të ndjerit N.S, në vitin 2017 në Prishtinë.
Ndërsa, Gjykata e Apelit më 23 mars 2023, me rastin e ankesave të përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Nexhmedin Sejdiu, mbrojtësve të të akuzuarit Arlind Ahmeti, avokatëve Asdren Hoxha dhe Fitim Malokaj, si dhe mbrojtësit të të akuzuarit Agron Vllasaliu, avokatit Florent Latifaj, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.
Më pas, Themelorja më 11 tetor 2024 pasi ua ricilësoi veprën penale në “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, Ahmetin dhe Vllasaliun i dënoi me nga 16 vjet burgim. Por, rasti është kthyer sërish në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 korrik 2021, Agron Vllasaliu akuzohet se më 24 nëntor 2017, në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin Arlind Ahmeti, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin N.S dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.