Qytetarët të ndarë për balotazhin në Prishtinë: Besim, zhgënjim dhe kritika të ashpra ndaj kandidatëve
Pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve dhe në prag të balotazhit në Prishtinë disa tregojnë besim të palëkundur në kandidatët e preferuar të tyre si Hajrulla Çeku dhe Përparim Rama, ndërsa të tjerë ndihen të zhgënjyer dhe të larguar nga procesi politik. Një qytetar i Prishtinës shpreh një besim të madh në fitoren…

Lajme
Pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve dhe në prag të balotazhit në Prishtinë disa tregojnë besim të palëkundur në kandidatët e preferuar të tyre si Hajrulla Çeku dhe Përparim Rama, ndërsa të tjerë ndihen të zhgënjyer dhe të larguar nga procesi politik.
Një qytetar i Prishtinës shpreh një besim të madh në fitoren e Hajrulla Çekut, duke theksuar se kishte pritshmëri që ai të fitonte që në raundin e parë pa balotazh. Megjithatë, tani që ka kaluar në raundin e dytë, ai ende e mbështet dhe shpreson në fitoren përfundimtare. Deklarata reflekton besim dhe përkushtim ndaj kandidatit.
“Jo që e kam pritur, por kam menduar se Hajrulla Çeku do ta fitoj që në raundin e parë pa balotazh patjetër, dhe besoj që do të fitoj dhe shpresoj se Hajrullah Çeku do ta fitoj në raundin e dytë”, tha një qytetar i Prishtinës.
Qytetari Bislim Ademi shpreh besim në fitoren e Përparim Ramës, duke e vlerësuar për punën e bërë brenda mundësive të tij. Sipas tij, performanca e Ramës është e mjaftueshme për t’i siguruar edhe një mandat tjetër.
“Mendoj që do të fitoj Përparim Rama, sepse ka punuar shumë mirë në mundësitë e tij dhe mendoj që Përparimi do të jetë përsëri (kryetar)”,tha qytetari Bislim Ademi.
Një tjetër qytetar nga Prishtina shpreh zhgënjim të thellë me të gjithë spektrin politik, ndaj ka vendosur të mos marrë pjesë në votime. Ai tha se ndjen se duke mos votuar, ka ruajtur ndërgjegjen e pastër dhe nuk është ndikuar nga premtimet apo propagandat të cilat i konsideron të pandershme.
“Nuk kam menduar për atë fare sepse s’kam dal të votoj, sepse nuk di se kujt t’i jap votën dhe jam i zhgënjyer me të gjithë. Jam më rahat dhe ndërgjegje më të pastër. Nuk do të dal të votoj në balotazh … Nuk është mirë, por si e kanë arritur situatën nuk është mirë sepse nuk është e ndershme për në mos të votojmë ajo është obligim i qytetarëve mirëpo si po premtojnë dhe po gënjejnë jam më rehat dhe kam ndërgjegje më të pastër që nuk kam rënë në propaganda” ,tha qytetari.
Ismajl Gjikolli shpreh pakënaqësi dhe zemërim të madh ndaj qeverisjes aktuale në Prishtinë.
“Po, unë po dhe shumë herë dhe ta heq Ramën do të paguaj dhe fukara jam, por do të hi kredi dhe të bëje banket këtu. Na ka marrë në qafë”.tha qytetari Ismajl Gjikolli
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ, Përparim Rama prin në Prishtinë me 33.75% teksa kundërkandidati i tij që do ta ketë në balotazh në garë për kryeqytet, Hajrulla Çeku ka marrë 33.05% të votave./Kp