Vetëvendosje dhe partia e serbit, Dragan Gjilas, bëhen anëtare të asociuara të Partisë së Socialistëve Evropianë

Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, si dhe Partia e Lirisë dhe Drejtësisë (SSP) e opozitarit serb Dragan Gjilas, janë pranuar si anëtare të asociuara në Partinë e Socialistëve Evropianë (PES). Ky vendim u mor gjatë kongresit të PES-it, i cili po zhvillohet këtë javë në Amsterdam. Të dyja…

Lajme

17/10/2025 20:43

Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, si dhe Partia e Lirisë dhe Drejtësisë (SSP) e opozitarit serb Dragan Gjilas, janë pranuar si anëtare të asociuara në Partinë e Socialistëve Evropianë (PES).

Ky vendim u mor gjatë kongresit të PES-it, i cili po zhvillohet këtë javë në Amsterdam. Të dyja partitë kishin më parë statusin e vëzhguesit brenda kësaj organizate të qendrës së majtë në Evropë, transmeton lajmi.net.

PES është një aleancë panevropiane e partive social-demokrate dhe progresive, që aktualisht numëron 33 anëtarë të plotë dhe, pas pranimit të fundit, 15 anëtarë të asociuar.

Sipas statutit të saj, anëtarët e asociuar kanë të drejtë të marrin pjesë në takimet e PES-it ku ftohen, me të drejtë fjale dhe propozimi, por pa të drejtë vote.

Gjatë fjalës së tij në kongres, Albin Kurti theksoi rezultatet e Qeverisë së Kosovës në fushën e politikave progresive, duke u shprehur se statusi i ri është një dëshmi e vlerësimit ndërkombëtar.

“Kosova ka kontribuar me modesti në ofrimin e një shembulli të prekshëm të asaj që mund të arrijnë politikat e vërteta progresive dhe social-demokratike. Këto arritje e bëjnë Vetëvendosjen edhe më krenare që është ngritur në statusin e anëtarit të asociuar,” u shpreh Kurti./lajmi.net/