Prokuroria nis hetimet pas pretendimeve nga AAK-ja për votues nga komuna të tjera në Junik
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, saktësisht deputeti i kësaj partie, Daut Haradinaj ka kërkuar hetimin e procesit zgjedhor në Junik nga Prokuroria, pasi që ai ka deklaruar se në këtë komunë votuan edhe qytetarë të komunave të tjera. “Juniku, si një zonë zgjedhore, ka shumë qytetarë nga qytetet tjera të cilët në mënyrë shumë të…

Lajme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, saktësisht deputeti i kësaj partie, Daut Haradinaj ka kërkuar hetimin e procesit zgjedhor në Junik nga Prokuroria, pasi që ai ka deklaruar se në këtë komunë votuan edhe qytetarë të komunave të tjera.
“Juniku, si një zonë zgjedhore, ka shumë qytetarë nga qytetet tjera të cilët në mënyrë shumë të organizuar janë regjistruar si votues të Junikut. Kjo përbën vepër penale dhe si e tillë duhet urgjentisht të hetohet. KQZ duhet ta publikojë listën zgjedhore të kësaj komune, pasi kjo është shumë e qartë si skemë e dominimit numerik kriminal”, ka shkruar Haradinaj.
Në lidhje me këtë, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë për lajmi.net se Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj ka autorizuar prokurorinë nga Departamenti i Krimeve të Rënda për fillimin e hetimeve.
“Me të pranuar informatat lidhur me pretendimet se kanë votuar persona që nuk janë banorë të komunës se Junikut, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj Lumturije Vuçetaj ka përpiluar shënim zyrtar dhe ka autorizuar prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda për ndërmarrjen e te gjitha veprimeve të nevojshme”, ka thënë Nikçi për lajmi.net.
I shqetësuar në lidhje me këtë rast, është shprehur edhe anëtari i KQZ-së nga AAK, Muharrem Nitaj. Ai ka thënë se informacionet nga terreni për ndërrimin e vendbanimeve të votuesve, përfshirë edhe ndërrimin e Komunave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, janë shqetësuese, pasi sipas tij ato janë bërë pa asnjë kriter.
“Janë disa komuna që e kanë ngritur alarmin për këtë dukuri, por rasti më eklatant duket të jetë komuna e vogël e Junikut. Kandidati për kryetar i kësaj Komune, Agron Kuqi, në një ankesë drejtuar KQZ-së, flet për rritje të pazakontë të numrit të votuesve nga përsona, që nuk kanë as adresë, as mbiemër, as vende pune as ndonjë lidhje tjetër me këtë komunë”, ka shkruar Nitaj në Facebook.
Ai ka thënë se Juniku është Komunë e vogël, dhe njerëzit e njohin njëri tjetrin dhe sipas tij nëse ka indicie për një veprim të tillë është bërë me qëllim të manipulimit të rezultatit zgjedhor, gabimi duhet të korrigjohet.
“Përfundimisht çështja e ndërrimit të vendvotimeve, posaçërisht kalimi i votuesve prej një komune në një komunë tjetër, duhet të evdidencohet si problem serioz i këtyre zgjedhjeve në mënyrë që të mos përsëritet në zgjedhjet e radhës”, ka thënë Nitaj. /Lajmi.net/