Obiliqi, komuna ku VV-ja e rriti më së shumti votën – në Prizren e Prishtinë shënoi rënie të madhe krahasuar me vitin 2021

Lëvizja Vetëvendosje në disa komuna shënoi rritje të madhe të votës e në disa pati rënie të mëdha, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021. Komunat ku Lëvizja Vetëvendosje shënoi rritje të madhe Nga statistika që ka nxjerrur analisti, Shenoll Muharremi, VV ka shënuar rritje të madhe në komunën e Obiliqit, transmeton lajmi.net. Kandidati, Halil…

Lajme

15/10/2025 12:41

Lëvizja Vetëvendosje në disa komuna shënoi rritje të madhe të votës e në disa pati rënie të mëdha, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Komunat ku Lëvizja Vetëvendosje shënoi rritje të madhe

Nga statistika që ka nxjerrur analisti, Shenoll Muharremi, VV ka shënuar rritje të madhe në komunën e Obiliqit, transmeton lajmi.net.

Kandidati, Halil Thaçi nga 2507 vota sa kishte në vitin 2021, ka arritur të ngjitet në 5505 vota, duke e rritur votën për 23.85 për qind.

Rritje tejet të madhe VV ka edhe në Fushë Kosovë. Në vitin 2021 me kandidatin, Enver Bajçinca kishte 4098 vota. Kurse, në zgjedhjet e 12 tetorit këtë vit, me kandidatin Valon Prebreza, VV ka siguruar 9529 vota, duke shënuar rritje prej 19.56 për qind.

Në Kamenicë, kandiati i VV-së Kadri Rahimaj në zgjedhjet e vitit 2021 kishte siguruar 5156 vota. Por, këtë vit, Rahimaj e rriti votën. Ai siguroi 7389, duke e rritur votën prej 19.55 për qind.

Komunat ku VV shënoi rënie të madhe

Në Drenas, VV performoi më keq se vitin 2021. Në vitin 2021, VV në Drenas kishte 3916 vota me kandidatin Fejzi Kiqina. Por, kandidatja Egzona Tërdevci në zgjedhjet lokale të këtij viti mori rezultat tejet të dobët. Ajo pati vetëm 1008 vota, duke shënuar rënie prej 13.09 për qind.

Performancë të dobët VV pati edhe në Prizren. Kandidati, Mytaher Haskuka në vitin 2021 kishte pasur 24,378 vota. Por, në vitin 2025, VV me kandidatin Artan Abrashi siguroi vetëm 17,231 vota, duke shënuar rënie prej 10.61 për qind.

Në Istog, VV me Agron Avdijaj në vitin 2021, kishte 4528 vota. Në vitin 2025, VV me kandidatin Astrit Bujupaj e gjysëmoi gati votën. Ai fitoi 2315 vota, duke shënuar rënie prej 9.81 për qind.

Vlen të theksohet edhe rënia e votës në Prishtinë. Kandidati i VV-së në vitin 2021, Arben Vitia kishte siguruar 36,818 vota. Por, kandidati i këtyre zgjedhjeve, Hajrulla Çeko mori 34,176 vota, duke shënuar rënie prej 9.49 për qind./lajmi.net/