Baraliu: Balotazhi në shumë komuna pritet të përmbysë rezultatin
Rezultatet e zgjedhjeve të 12 tetorit kanë sjellë rezultate të ngushta në shumicën e komunave, ku 17 prej tyre do të shkojnë në balotazh. Njohës të fushës së politikës po vlerësojnë se balotazhi në shumë komuna pritet të përmbysë rezultatin e partisë së parë, pasi pritet të ketë marrëveshje ndërmjet partive politike, edhe përkundër faktit…

Lajme
Rezultatet e zgjedhjeve të 12 tetorit kanë sjellë rezultate të ngushta në shumicën e komunave, ku 17 prej tyre do të shkojnë në balotazh. Njohës të fushës së politikës po vlerësojnë se balotazhi në shumë komuna pritet të përmbysë rezultatin e partisë së parë, pasi pritet të ketë marrëveshje ndërmjet partive politike, edhe përkundër faktit që ky bashkëpunim mungon në nivelin qendror.
Në balotazhin për kryetarë të komunave, që do të mbahen më 9 nëntor, në shumë komuna pritet të përmbyset rezultati i fituesit të parë, bazuar edhe në praktikat e zgjedhjeve të kaluara. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike në vend. Mazlum Baraliu i tha Radios Kosovës se në të kaluarën ka pasur raste të shpeshta të koalicioneve, të cilat për qytetarët mund të jenë shumë të panatyrshme.
“Ka mundësi të ketë përmbysje të rezultatit të partisë së parë që ka dalë nga zgjedhjet e 12 tetorit. Këto raste janë të shpeshta, dhe sigurisht do të ketë edhe në këto zgjedhje, pasi shumica e komunave po shkojnë në balotazh dhe pritet të ketë marrëveshje të caktuara, koalicione të caktuara të partive politike. Këto marrëveshje dhe koalicione mund të jenë të paimagjinueshme dhe të panatyrshme si dhe ndonjëherë mund të bëhen për qëllime të subjekteve politike”, tha ai
Nga 38 komunat e Kosovës, 21 kanë përmbyllur garën për kryetarë që në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor, ndërsa 17 komuna të tjera do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor.
Dalja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit ishte 39.51 për qind. Sipas të dhënave të KQZ-së, në këto zgjedhje të drejtë vote kishin 2 milionë e 69 mijë e 98 qytetarë. Prej tyre kanë votuar mbi 800 mijë. Rreth 44 mijë qytetarë, ndërkaq, kanë mundur të votojnë me postë nga jashtë vendit.