Rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe komunat në balotazh, Cakolli: Rundi i dytë do të jetë edhe më interesant

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se zgjedhjet lokale dhanë një pamje shumë të larmishme dhe interesante të hartës politike të Kosovës, posaçërisht krahasuar me zgjedhjet paraprake. Sipas tij balotazhi do të jetë më interesant. “Zgjedhjet lokale dhanë një pamje shumë të larmishme dhe interesante të hartës politike të Kosovës, posaçërisht krahasuar me zgjedhjet paraprake.…

Lajme

13/10/2025 10:32

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se zgjedhjet lokale dhanë një pamje shumë të larmishme dhe interesante të hartës politike të Kosovës, posaçërisht krahasuar me zgjedhjet paraprake.

Sipas tij balotazhi do të jetë më interesant.

“Zgjedhjet lokale dhanë një pamje shumë të larmishme dhe interesante të hartës politike të Kosovës, posaçërisht krahasuar me zgjedhjet paraprake. Më poshtë janë përmbledhjet e përgjithshme dhe për secilën parti. Sidoqoftë, sipas rezultateve të deritanishme, balotazhi do të jetë edhe më interesant.”

Ai ka thënë se nëse mblidhen votat e të gjitha komunave për kandidatët për kryetarë, prin LVV me rreth 27% në nivel vendi, ndërsa për kuvendet komunale prin LDK me rreth 24%.

Cakolli ka shtuar se VV ka fituar pa balotazh në tri komuna, është e para në dy komuna dhe e dyta në 10 komuna që shkojnë në balotazh.

“• LVV fituar pa balotazh në 3 komuna (Kamenicë, Podujevë, Shtime); është e para në 2 komuna që shkojnë në balotazh (Gjilan, Fushë Kosovë); dhe është e dyta në 10 komuna (Gjakovë, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti, Vushtrri).”

Ai thotë se VV në krahasim me vitin 2021 ka bërë përparim të dukshëm.

“- Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, LVV ka bërë përparim të dukshëm. Nga asnjë komunë e fituar pa balotazh atëherë, këtë herë ka 3 fitore, ndonëse numri i komunave ku del e para ka rënë nga 5 në 2. Në të njëjtën kohë, numri i renditjeve të dyta është rritur – nga 8 në 10.”

Cakolli ka thënë se LDK ka fituar pa balotazh në dy komuna, është e para në 6 komuna dhe e dyta në 3 komuna që shkojnë në balotazh.

“• LDK ka fituar pa balotazh në 2 komuna (Istog, Lipjan); është e para në 6 komuna që shkojnë në balotazh (Dragash, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Viti, Junik); dhe është e dyta në 3 komuna (Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë).”

Sipas tij, LDK po e ruan të njëjtin nivel si në vitin 2021.

“- LDK ruan pothuajse të njëjtin nivel si në vitin 2021. Numri i komunave të fituara pa balotazh mbetet i pandryshuar (2), ndërsa ato ku del e para në balotazh janë rritur nga 5 në 6. Ndërkaq, renditjet e dyta kanë rënë nga 4 në 3.”

PDK ka fituar në 3 komuna, është e para në katër komuna dhe e dyta në dy komuna që shkojnë në balotazh, thotë Cakolli.

Ai shton se PDK ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me zgjedhjet lokale të 2021.

“• PDK fituar pa balotazh në 3 komuna (Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Vushtrri); dhe është e dyta në 2 komuna (Dragash, Klinë). – PDK ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2021. Fitoret pa balotazh kanë rënë nga 4 në 3, komunat ku del e para nga 6 në 4, ndërsa renditjet e dyta nga 4 në 2.”

Ndërsa për AAK’në Cakolli thotë se ka fituar pa balotazh në një komunë, është e para në katër komuna dhe e dyta në një komunë që shkojnë  në balotazh.

“• AAK ka fituar pa balotazh në 1 komunë (Deçan); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Gjakovë, Klinë, Rahovec, Suharekë); dhe është e dyta në 1 komunë (Junik). – AAK mbetet në nivel të ngjashëm me zgjedhjet e vitit 2021. Fitoret pa balotazh kanë rënë nga 2 në 1, ndërsa numri i komunave ku del e para mbetet i pandryshuar (4). Edhe renditjet e dyta janë të njëjta (1 komunë).”