Plakolli i fton mitrovicasit që të votojnë

Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gëzim Plakolli ka përfunduar procesin e votimit në shkollën fillore “Musa Hoti”. Ai ka bërë thirrje qytetarëve të ushtrojnë obligimin e vetë qytetarë për votë. “Gjithë procesi i votimit uroj të shkoj në mënyrën më të mirë të mundshme. I gjithë procesi zgjati…

Lajme

12/10/2025 13:21

Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gëzim Plakolli ka përfunduar procesin e votimit në shkollën fillore “Musa Hoti”. Ai ka bërë thirrje qytetarëve të ushtrojnë obligimin e vetë qytetarë për votë.

“Gjithë procesi i votimit uroj të shkoj në mënyrën më të mirë të mundshme. I gjithë procesi zgjati 15 minuta kohë, prandaj nga këtu dua ta përgëzoj KQZ-në dhe gjithë trupat që janë organizuar për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve. Po ashtu dua të ftoj çdo qytetarë të Mitrovicës që të dalin ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre dhe obligimin e vet qytetare dhe të votoj për më të mirin, sepse për 15 minuta kohë do të japin zgjidhje për katër vitet e ardhshme se kush do ta drejtoj komunën e Mitrovicës. Bëj thirrje çdo qytetari të Mitrovicës të dalin të ushtrojnë obligimin e vetë qytetarë dhe të ecin përpara”, theksoi Plakolli.

Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5.624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5.419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Vendvotimet u hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Kjo periudhë llogaritet heshtje zgjedhore./kp