Policia e Kosovës me plan të gatshëm për zgjedhjet lokale 2025
Policia e Kosovës ka përfunduar të gjitha përgatitjet operacionale për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025, duke hartuar urdhrin operativ “Zgjedhjet Lokale 2025”. Sipas komunikatës zyrtare, plani policor është ndarë në katër faza kryesore, duke filluar nga periudha parazgjedhore, ofrimi i sigurisë gjatë fushatës, garantimi i rendit në ditën…

Lajme
Policia e Kosovës ka përfunduar të gjitha përgatitjet operacionale për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025, duke hartuar urdhrin operativ “Zgjedhjet Lokale 2025”.
Sipas komunikatës zyrtare, plani policor është ndarë në katër faza kryesore, duke filluar nga periudha parazgjedhore, ofrimi i sigurisë gjatë fushatës, garantimi i rendit në ditën e zgjedhjeve (dita “Z”) dhe fazën paszgjedhore, e cila përfshin transportin dhe ruajtjen e materialit sensitiv zgjedhor deri në përfundim të procesit, transmeton lajmi.net.
“Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, do të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë nga njësite të ndryshme të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Policia ka marrë masa shtesë përmes emërimit të koordinatorëve me KQZ-në dhe institucionet e përfshira, si dhe përmes hartimit të një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë ligjore gjatë procesit.
Qëllimet e urdhrit operativ policor janë:
-
Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për qytetarët dhe mbajtja e rendit publik gjatë gjithë procesit zgjedhor.
-
Sigurimi i Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale të Zgjedhjeve, depove komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe depove qendrore.
-
Përcjellja e sigurt e materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara.
-
Identifikimi dhe procedimi penal i çdo vepre që bie ndesh me të drejtën e votës, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.
Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjitha subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion të dyshuar që ndërlidhet me sigurinë, të kontaktojnë institucionet kompetente ose të raportojnë përmes numrit 192, adresës elektronike [email protected], apo në stacionin më të afërt policor.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saj ligjore në mënyrë profesionale dhe në shërbim të qytetarëve dhe vendit”, përfundon komunikata./lajmi.net/