Albert Krasniqi: Kandidati serb për nënkryetar nuk u propozua nga shumica e komunitetit, por nga deputetët e shumicës

Albert Krasniqi nga shoqëria civile ka reaguar pas përfundimit të procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si u zgjodh nënkryetari nga radhët e komunitetit serb. Sipas Krasniqit, procedura e ndjekur nuk ka respektuar plotësisht frymën kushtetuese dhe ligjore, pasi kandidati nuk ishte propozuar nga shumica e deputetëve të…

Lajme

10/10/2025 12:59

Albert Krasniqi nga shoqëria civile ka reaguar pas përfundimit të procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si u zgjodh nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.

Sipas Krasniqit, procedura e ndjekur nuk ka respektuar plotësisht frymën kushtetuese dhe ligjore, pasi kandidati nuk ishte propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, por nga deputetët e shumicës shqiptare në Kuvend, transmeton lajmi.net.

“Kur përfundojnë tre raunde votimi për të gjithë kandidatët e propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, procedura rinis për ditët e mbetura brenda afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Në këtë rast, shumica e deputetëve të komunitetit serb nuk e kanë refuzuar të drejtën për të propozuar kandidatin, prandaj mekanizmi i shortit nuk ka mundur të aktivizohet”, shkroi Krasniqi.

Ai shtoi se, ajo që ka ndodhur në praktikë është një devijim nga procedura: “Kandidati për nënkryetar nuk është propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, siç parashihet, por nga deputetët e shumicës.”

Ky koment vjen në një kohë kur konstituimi i Kuvendit është zvarritur për muaj të tërë për shkak të mungesës së konsensusit për nënkryetarin nga komuniteti serb, duke ngritur debat rreth zbatimit të Kushtetutës dhe përfaqësimit të drejtë të komuniteteve në institucionet shtetërore./lajmi.net/