Uran Ismaili me plan konkret për sigurinë në shkolla: 200 oficerë për mbrojtjen e nxënësve

Në debatin për kryeqytetin, kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, vuri theksin në nevojën për një qasja serioze dhe gjithëpërfshirëse në përmirësimin e arsimit, duke e cilësuar atë si një nga prioritetet kryesore të tij. Ismaili e vlerësoi mësimin tërëditor si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të arsimit, por theksoi se…

Lajme

09/10/2025 22:48

Në debatin për kryeqytetin, kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, vuri theksin në nevojën për një qasja serioze dhe gjithëpërfshirëse në përmirësimin e arsimit, duke e cilësuar atë si një nga prioritetet kryesore të tij.

Ismaili e vlerësoi mësimin tërëditor si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të arsimit, por theksoi se zbatimi aktual lë shumë për të dëshiruar, transmeton lajmi.net.

“Kur vetëm 10% e fëmijëve ndjekin mësim tërëditor dhe 90% jo, kjo nuk është reformë – kjo është një projekt pilot,” tha ai, duke shtuar se arsimi i kryeqytetit meriton më shumë sesa masa gjysmake.

Ai theksoi se mësimi tërëditor duhet të shoqërohet me infrastrukturë të përshtatshme, kuadro të trajnuara dhe kurrikulë të përgatitur mirë, në mënyrë që të sjellë rezultate të prekshme për të gjithë nxënësit.

Një nga pikat që e dalloi programin e Uran Ismailit ishte fokusi i tij në sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në shkolla. Ai prezantoi planin për vendosjen e 200 oficerëve të sigurisë në të gjitha shkollat e Prishtinës dhe përfshirjen e psikologëve për të mbështetur shëndetin mendor të nxënësve.

“Siguria në shkolla është thelbësore për të mësuar me qetësi. Do të kujdesemi që çdo nxënës të ndihet i mbrojtur dhe i përkrahur,” tha Ismaili.

Me një plan të qartë dhe me përvojën që e karakterizon, Uran Ismaili u shfaq si një nga kandidatët më të përgatitur për të sjellë ndryshimin në sistemin arsimor të Prishtinës./lajmi.net/