“Nuk kemi mundësi të paguajmë çmimin e një konflikti politik” – Sheshi “Xhorxh Bush” shkakton debat të ashpër mes kandidatëve të Prishtinës
Çështja e rrugës “Xhorxh Bush” në Prishtinë, e cila prej një kohe është e mbyllur me qëllim shndërrimi në shesh, ka shkaktuar përplasje mes tre kandidatëve kryesorë për kryetar të kryeqytetit në debatin e mbrëmshëm në “Debat Plus”. Hajrulla Çeku, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se vendimet për këtë projekt duhet të bazohen në vlerësime…

Lajme
Çështja e rrugës “Xhorxh Bush” në Prishtinë, e cila prej një kohe është e mbyllur me qëllim shndërrimi në shesh, ka shkaktuar përplasje mes tre kandidatëve kryesorë për kryetar të kryeqytetit në debatin e mbrëmshëm në “Debat Plus”.
Hajrulla Çeku, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se vendimet për këtë projekt duhet të bazohen në vlerësime ligjore, pasi sipas tij, kontratat ekzistuese kanë shkelje të shumta ligjore, transmeton lajmi.net.
“Kontratat për sheshin ‘Xhorxh Bush’ duhet të kalojnë testin e ligjshmërisë. Çdo vendim për hapje apo mbyllje duhet të paraprihet nga një vlerësim i tillë. Ka shkelje të shumta,” tha Çeku.
Në anën tjetër, kandidati i LDK-së, Përparim Rama, kritikoi qasjen e Çekut, duke e akuzuar se ka ndalur proceset zhvillimore në mënyrë të jashtëligjshme.
“Hajrullahu flet për ligjshmëri, por merr vendime të jashtëligjshme. E ka ndalë zhvillimin e ‘Xhorxh Bushit’ në mënyrë të paligjshme,” tha Rama, duke shtuar se kishte pritur të dëgjonte projekte konkrete nga kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, por sipas tij, ato munguan.
Ndërkaq, Uran Ismaili nga PDK kritikoi të dy kundërshtarët për debat të tensionuar dhe theksoi kostot që qytetarët po i paguajnë për mbylljen e rrugës, si pasojë e, siç e quajti ai, një konflikti politik.
“Rruga ‘Xhorxh Bush’ është e mbyllur tash e një kohë. Çmimin e kam paguar unë si qytetar i Prishtinës. Kaos në trafik ka gjithandej. Nuk kemi mundësi të paguajmë çmimin e një konflikti politik,” tha Ismaili, duke apeluar për më shumë përmbajtje dhe më pak tone personale në debat./lajmi.net/