100 eurot për studentët – Hapet Aplikimi në eKosova

Aplikimi për mbështetje financiare për studentët është hapur në platformën eKosova, njoftoi Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Dy mundësi mbështetje janë në dispozicion: një shtesë e njëhershme prej 100 eurosh dhe bursë për mobilitet ndërkombëtar, transmeton lajmi.net. “Për shtesën e njëhershme 100 euro, të drejtë aplikimi kanë studentët aktivë të të gjitha niveleve…

Lajme

09/10/2025 16:26

Aplikimi për mbështetje financiare për studentët është hapur në platformën eKosova, njoftoi Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Dy mundësi mbështetje janë në dispozicion: një shtesë e njëhershme prej 100 eurosh dhe bursë për mobilitet ndërkombëtar, transmeton lajmi.net.

“Për shtesën e njëhershme 100 euro, të drejtë aplikimi kanë studentët aktivë të të gjitha niveleve (Bachelor, Master, Doktoratë) që studiojnë në universitetet e akredituara në Kosovë,” thuhet në njoftimin e Ministrisë. Afati për aplikim është deri në fund të muajit tetor, dhe pagesat do të realizohen me grupe, sipas radhës së aplikimit.

Për Bursën e Mobilitetit të Studentëve, aplikimi është i hapur për studentët e nivelit Bachelor që studiojnë në universitetet e akredituara dhe që kanë të ardhura vjetore bruto të familjes jo më shumë se 12,000 euro. “Sigurohuni që i plotësoni të gjitha fushat saktë dhe pa gabime. Nëse ka gabime, aplikimi refuzohet,” paralajmëroi Ministri Murati.

Studentët mund të aplikojnë përmes platformës eKosova deri në datën 31 tetor 2025./lajmi.net/