Osmani takohet me Prattipatin: Flasin për funksionalizimin e institucioneve pas aktgjykimit të fundit të Kushtetueses
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se është takuar me të ngarkuarën me punë të SHBA-ve, Anu Prattipatin. Osmani ka thënë se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, shkruan lajmi.net. “Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit dypalësh, si dhe…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se është takuar me të ngarkuarën me punë të SHBA-ve, Anu Prattipatin.
Osmani ka thënë se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, shkruan lajmi.net.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit dypalësh, si dhe për pritshmëritë rreth funksionalizimit të plotë të institucioneve, pas Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati diskutuan gjithashtu për takimet dhe bisedat e zhvilluara me Presidentin e SHBA-ve, Donald J. Trump, dhe me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, që u mbajt në Nju Jork”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Takimi i tyre ka ardhur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votimin e nënkryetarit të Kosovës nga minoriteti serb.
Seanca e parë pas këtij vendimi të Kushtetueses do të mbahet nesër, ndërkaq nga partitë politike nuk janë deklaruar ende nëse do ta votojnë ndonjë deputet të Listës Serbe, për nënkryetar të Kuvendit.
Deputeti serb, Nenad Rashiq ka thënë për lajmi.net se pas vendimit të Kushtetueses nuk sheh hapësirë për të kandiduar përsëri ai.
“Sot e lexova dhe sa e shoh unë dhe të them drejtën nuk jam ekspert për të zbërthyer vendimin e Kushtetueses. Sa e shoh unë gjykata ia ka dhënë të drejtën ekskluzive Listës Serbe dhe në këto aspekte, me aq sa e kuptova mirë sistemi i votimit në short nuk ka nevojë që të zbatohet më sepse tashmë është e mundshme disa herë brenda 12 ditësh që të votohet dhe nëse e kuptova mirë, unë nuk shoh hapësirë për kandidimin tim. Unë jam besimtar i ligjeve dhe institucioneve, nuk shoh mundësi që unë të jem kandidat dhe nëse gjykata është ashtu e prerë unë nuk po shoh vend për kandidimin tim,” tha Rashiq për lajmi.net.