Zbulohet gjyqtari që do vendosë drejtësi në ndeshjen Serbi-Shqipëri
UEFA ka zyrtarizuar emrin e arbitrit që do të gjykojë ndeshjen delikate Serbi–Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026 dhe që do të zhvillohet në stadiumin e ri të Leskovcit. Top Channel, mëson se bëhet fjalë për István Kovács, arbitrin rumun të klasit “Elite” të UEFA-s, një nga gjyqtarët më me përvojë dhe më…

Sport
UEFA ka zyrtarizuar emrin e arbitrit që do të gjykojë ndeshjen delikate Serbi–Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026 dhe që do të zhvillohet në stadiumin e ri të Leskovcit.
Top Channel, mëson se bëhet fjalë për István Kovács, arbitrin rumun të klasit “Elite” të UEFA-s, një nga gjyqtarët më me përvojë dhe më të besuar të futbollit evropian.
Emërimi i Kovács nga Komisioni i Arbitrave të UEFA-s shihet si një sinjal i qartë për seriozitetin me të cilin trajtohet kjo ndeshje, që mban mbi vete ngarkesë të madhe sportive, emocionale dhe politike.
Takimi mes Serbisë dhe Shqipërisë rikthehet në qendër të vëmendjes pas 11 vitesh nga ngjarjet e Beogradit në vitin 2014, duke bërë që çdo detaj, përfshirë edhe arbitrin, të ketë rëndësi të veçantë.
Arbitër me peshë finale
István Kovács, 41 vjeç, është arbitër ndërkombëtar i FIFA-s që prej vitit 2010 dhe pjesë e grupit “Elite” të UEFA-s. Ai është një nga emrat më të spikatur të arbitrimit europian, me një karrierë të pasur në kompeticionet më prestigjioze të kontinentit.
Në vitin 2022, Kovács gjykoi finalen e parë historike të UEFA Europa Conference League mes Romës dhe Feyenoordit në “Arenën Kombëtare” në Tiranë. Dy vite më vonë, ai u zgjodh për finalen e UEFA Europa League (Atalanta–Bayer Leverkusen, Dublin 2024), ndërsa në maj 2025 arbitroi finalen e UEFA Champions League mes Paris Saint-Germain dhe Interit – një arritje që e vendos në nivelin më të lartë të arbitrimit botëror.
I rreptë, por i besuar
Stili i tij njihet për disiplinë të fortë dhe kontroll të lartë të lojës. Kovács ka reputacion si arbitër që nuk lejon devijime nga rregullat, por që në të njëjtën kohë arrin të ruajë autoritetin dhe qetësinë edhe në ndeshje me tension maksimal.
Në Euro 2024, ai tërhoqi vëmendje për mënyrën se si menaxhoi ndeshjen mes Çekisë dhe Turqisë, ku dha rekord kartonësh, një shembull i stilit të tij të vendosur dhe pa kompromis.
Zgjedhje që nënvizon rëndësinë e ndeshjes
Emërimi i një arbitri me përvojë në finale europiane shihet si një garanci e drejtësisë dhe profesionalizmit për një përballje që mbart më shumë se vetëm tre pikë.
Serbi–Shqipëri është një nga ndeshjet më të ndjeshme të kualifikueseve, dhe UEFA kërkon që përmes një arbitri të tillë të sigurojë kontroll të plotë të situatës dhe qetësi në fushë.
Në një sfidë ku çdo gjest, vendim apo episod mund të interpretohet me emocione, prania e István Kovács shihet si një faktor stabiliteti. Ndeshja në Leskovac, përveçse një test për të dy kombëtaret, do të jetë edhe një provë e rëndësishme për arbitrin rumun që tashmë ka treguar se di të përballojë presionin e finales.
Në këtë ndeshje nuk lejohen tifozët udhëtues dhe për të gjithë mbështetësit kuqezi ka menduar DigitAlb që do ta trasmetojë ekskluzivisht.
Arbitër:
István Kovács
Anësorë:
Mihai Marica
Ferencz Tunyogi
Arbitër i katërt:
Horațiu Feșnic
VAR:
Bastian Dankert GER
A-VAR:
Pascal Müller GER