Dosja paraparake e Prokurorisë: Si tentoi grupi Smakaj të ndikojë në dëshminë e Bislim Zyrapit?

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është publikuar dosja paraprake e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila është dorëzuar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin kundër administrimit të drejtësisë. Sipas Prokurorisë, të paktën nga 12 prilli 2023 deri më 2…

Lajme

09/10/2025 10:28

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është publikuar dosja paraprake e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila është dorëzuar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, të paktën nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor 2023, Thaçi, Smakaj, Fazliu, Kilaj dhe Kuçi i kanë bashkërenduar veprimet brenda grupeve të përbashkëta, në mënyrë që të ndikojnë në dëshmitarët e rastit në të cilin Thaçi së bashku me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria e përshkruan Thaçin si udhëheqës dhe organizator i këtyre grupeve, të cilat pretendohet se i ka drejtuar nga paraburgimi në Hagë.

Për Fazliun, Smakajn dhe Kilajn, Prokuroria thotë se kanë luajtur rol kyç në përmbushjen e qëllimit të pengimit të drejtësisë duke u koordinuar individualisht me Thaçin gjatë vizitave, kështu duke marrë edhe udhëzime përkatëse.

Ndërsa për Kuçin, Prokuroria thotë se derisa shërbente në ekipin mbrojtës të Veselit, e ka vizituar Thaçin në paraburgim, e që ka rënë dakord të kontaktojë në mënyrë të paligjshme me dëshmitarë dhe i ka dhënë vetë sugjerime Thaçit lidhur me mënyrën e ndërhyrjes në dëshmi.

Prokuroria: Grupi Smakaj tentoi të ndikojë në dëshminë e Bislim Zyrapit

Sipas Prokurorisë, më 9 shtator 2023, Grupi Smakaj në përbërje me Bashkim Smakajn, Blerim Shalën, Artan Behramin dhe Ismail Sylën, e kanë vizituar Thaçin dhe janë koordinuar që të ndikojnë në dëshminë e Bislim Zyrapit.

Madje, sipas Prokurorisë, me udhëzimet e Thaçit, Smakaj dhe Behrami e kishin vizituar sërish Thaçin më 7 tetor 2023 nga i cili morën instruksione të tjera lidhur me ndikimin tek Zyrapi.

Gjatë kësaj vizite, thuhet se Thaçi dha udhëzime se si duhet të shkojë dëshmia e Zyrapit, të cilat ishin vendosur në një dokument të shtypur në paraburgim, i cili më pas pretendohet se është gjetur më 30 tetor në makinën e Smakajt.

Më 9 shtator, Smakaj, Behrami, Shala dhe Syla e kishin vizituar Thaçin për më shumë se tri orë. Gjatë kësaj vizite, thuhet se u bisedua për Rrustem Mustafën- Remin dhe Sokol Bashotën.

Përveç kësaj, thuhet se në këtë vizitë Thaçi kishte përçmuar dëshmitë e disa dëshmitarëve të mbrojtur, e që ishin dëgjuar edhe të qeshura.

Gjatë kësaj vizite, thuhet se Thaçi dha udhëzime se si duhej të dëshmonte Bislim Zyrapi lidhur me UÇK-në, strukturën e saj dhe rolin e Thaçit.

Thaçi kishte udhëzuar që Zyrapi të ishte i përmbledhur, të mos fliste shumë dhe të jepte opinione, thotë Prokuroria.

Po ashtu, thuhet se ishte kërkuar që Zyrapi të udhëzohej që të dukej si një zotëri dhe se mund të thoshte që nuk i kujtohen gjëra të caktuara.

Gjithashtu, thuhet se Thaçi udhëzoi që t’i thuhej Zyrapit se mund t’ia dilte më mirë se Remi dhe se dëshmia e tij është vendimtare.

Vizita e dytë e Thaçit me këtë grup, kishte ndodhur më 7 tetor, në të cilën ishin vetëm Behrami dhe Smakaj. Edhe në këtë vizitë, thuhet se u ndanë informacione konfidenciale si dhe u tallën me dëshmitë e disa prej dëshmitarëve.

Smakaj thuhet se e informoi Thaçin se Zyrapi i kishte dërguar përshëndetje javën e kaluar, gjë që sipas Prokurorisë, e dëshmon se ata e kanë kontaktuar dëshmitarin.

Madje, Smakaj thuhet se i tregoi Thaçit që Zyrapi i kishte thënë se ‘ka frikë që dëshmia e tij e ka dëmtuar Thaçin’.

Një dokument me udhëzime që pretendohet se janë nga Thaçi, sipas Prokurorisë, u gjet në makinën e Smakajt meë30 tetor 2023. Ky dokument pretendohet se u printua nga një printer i paraburgimit që përdorej nga Thaçi.

Më 6 dhjetor 2023, Zyrapi kishte deklaruar se Smakajn e njeh dhe kanë marrëdhënie miqësore dhe që takohen edhe për kafe. Po ashtu, ai kishte thënë se kanë shërbyer si këshilltarë të Thaçit dhe janë në kontakt për shkak të punës së tyre në UBT si profesorë.

Betimi për Drejtësi” në vazhdim sjell detajet e Dosjes së Prokurorisë për pretendimet se të akuzuarit tentuan të ndikojnë në dëshminë e Sylejman Selimit, dëshmitarë tjerë.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.