Rama bën homazhe për gjyqtarin Astrit Kalaja
Në hollin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë po zhvillohen sot homazhet në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën dy ditë më parë pasi u vra me armë zjarri brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, teksa ndodhej në krye të detyrës. Ceremonia nisi në orën 09:00 dhe do të zgjasë deri në…

Lajme
Në hollin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë po zhvillohen sot homazhet në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën dy ditë më parë pasi u vra me armë zjarri brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, teksa ndodhej në krye të detyrës.
Ceremonia nisi në orën 09:00 dhe do të zgjasë deri në 11:00, pas së cilës trupi i pajetë i gjyqtarit do të përcillet për në banesën e fundit në Shkodër, qytetin e tij të lindjes, shkruan ATSH.
Kryeministri Edi Rama kreu homazhe ndërsa la dhe një shënim në librin e ngushëllimeve, i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari shprehu ngushëllime për familjen e të ndjerit, si dhe la një shënim në librin e kujtimeve.
“Lamtumirë njeriut të ligjit, shërbëtorit të drejtësisë e profesionistit të spikatur, Astrit Kalaja. Kontributi i tij i çmuar do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që besojnë në forcën e ligjit dhe në shtetin e së drejtës. Ngushëllime për familjen, kolegët, trupën gjyqësore dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan Astritin. Prehu në paqe mik i dashur!”, shprehet ministri Lamallari.
Gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda sallës së gjyqit më 6 tetor. Autori i ngjarjes, palë e dëmtuar në proces, u arrestua. Policia vuri në pranga edhe xhaxhain e tij si bashkëpunëtor, si dhe rojën e sigurisë në Gjykatën e Apelit për shpërdorim detyre.