​Thirrja e Dardanëve: Duhet të japim mbi 12 mijë veta maksimumin në stadium

Grupi i tifozëve “Dardanët” ka bërë të ditur se nga sot (e martë) do të nisë shpërndarja e biletave për ndeshjen e shumëpritur të Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovenisë, e cila do të zhvillohet të premten dhe pritet të ketë rëndësi të madhe për fatin e “Dardanëve” në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026. Në…

Sport

07/10/2025 10:39

Grupi i tifozëve “Dardanët” ka bërë të ditur se nga sot (e martë) do të nisë shpërndarja e biletave për ndeshjen e shumëpritur të Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovenisë, e cila do të zhvillohet të premten dhe pritet të ketë rëndësi të madhe për fatin e “Dardanëve” në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026.

Në njoftimin e tyre, Dardanët theksojnë rëndësinë e kësaj sfide dhe bëjnë thirrje për mbështetje masive në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Të premten presim Slloveninë dhe përcaktojmë tejet shumë fatin tonë drejt qëllimit madhor dhe ëndrrës së madhe për të rritur shpresat për Kupën e Botës 2026. Gjaku dhe zemra na vlojnë për ta ndihmuar ekipin tonë kombëtar drejt kësaj ambicie gjigante,” thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, biletat do të shpërndahen nëpërmjet përfaqësuesve të Dardanëve në qytetet përkatëse të vendit, si dhe në lokalin zyrtar të grupit pranë stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, por kjo ndeshje është akoma më e rëndësishme sesa të tjerat që i kemi zhvilluar paraprakisht. Andaj, duhet të japim mbi 12 mijë veta maksimumin në stadium, përfshirë futbollistët në fushë, që ta bëjmë të mundur shënimin e një nate të paharruar për atdheun tonë dje të vuajtur e sot e përgjithmonë krenar,” përfundon njoftimi i grupit të tifozëve.