Serbia po u bën presion serbëve para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit

Partia “Novo Lice – Narodna Pravda” në Leposaviq ka ngritur shqetësime serioze lidhur me një operacion të organizuar dhe sistematik që, sipas tyre, po zhvillohet prej më shumë se dy javësh në institucionet publike të komunave veriore. Në qendër të këtij operacioni është mbledhja e kartave të identitetit nga punonjësit që marrin paga nga buxheti…

Lajme

06/10/2025 20:07

Partia “Novo Lice – Narodna Pravda” në Leposaviq ka ngritur shqetësime serioze lidhur me një operacion të organizuar dhe sistematik që, sipas tyre, po zhvillohet prej më shumë se dy javësh në institucionet publike të komunave veriore. Në qendër të këtij operacioni është mbledhja e kartave të identitetit nga punonjësit që marrin paga nga buxheti i Republikës së Serbisë.

Sipas kësaj partie, procesi, që ka nisur në institucionet shëndetësore, më pas është shtrirë në arsimin publik dhe tani po përfshin sektorë të tjerë, përfshirë ish-punonjësit dhe familjarët e tyre.

“Të gjithë ata që marrin të ardhura nga strukturat shtetërore serbe janë bërë objekt i kësaj fushate”, thuhet në njoftim.

Sipas burimeve të “Novo Lice – Narodna Pravda”, kartat e identitetit u kërkohen qytetarëve pa ndonjë shpjegim zyrtar, pa dokument me shkrim apo nënshkrim, por vetëm me mesazhin: “Jepni ID-në ose humbisni të ardhurat.” Dokumentet personale mbahen për 3 deri në 4 ditë dhe më pas kthehen në heshtje. Qëllimi i vërtetë i marrjes së tyre mbetet i paqartë, por presioni ndaj qytetarëve është i dukshëm dhe i organizuar.

“Veçanërisht shqetësuese është situata në institucionet shëndetësore, ku sipas informacioneve, punonjësve që posedojnë dokumente të Republikës së Kosovës u janë konfiskuar kartat e identitetit nën kërcënimin e pushimit nga puna. Stafi mjekësor dhe administrativ ndodhet nën një trysni të vazhdueshme, ndërsa shumë prej tyre nuk kanë asnjë mundësi për të refuzuar”, thuhet në njoftim.

Kjo parti njofton se një tjetër zhvillim alarmues është informacioni se të gjithë punonjësit në këto institucione janë urdhëruar të paraqiten për të votuar më 12 tetor, së bashku me anëtarët e familjeve të tyre. “Liria e zgjedhjes nuk ekziston më. Ajo që po ndodh është një formë e qartë kontrolli dhe shantazhi”, thuhet në deklaratën e partisë.

Më tej thuhet se pyetjet që kërkojnë përgjigje urgjente janë kush qëndron pas këtij operacioni të organizuar? Në bazë të cilit ligj konfiskohen dokumentet personale pa urdhër zyrtar? Kush garanton mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve? Pse ndodh kjo në heshtje, pa dëshmitarë dhe pas dyerve të mbyllura?

Partia “Novo Lice – Narodna Pravda” i bën thirrje të gjitha institucioneve kompetente, vendore dhe ndërkombëtare, që të ndërmarrin hetim urgjent ndaj këtyre veprimeve që përbëjnë shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe të ligjit.

“Ky nuk është thjesht një proces zgjedhor – është një operacion i mirëorganizuar i shantazhit politik dhe potencialisht manipulimit zgjedhor. Konfiskimi i dokumenteve personale pa pëlqim dhe nën presion është një vepër penale që nuk mund të tolerohet,” thuhet në fund të deklaratës.

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor./kp