ShSKUK reagon ndaj keqinterpretimeve për “Planin Stroke”: Projekti është nismë kombëtare, jo personale apo partiake
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka reaguar ndaj keqinterpretimeve që lidhen me “Planin Nacional për Stroke”, duke i cilësuar si të papranueshme tentimet për keqpërdorim politik të këtij projekti shëndetësor. Në reagim thuhet se “Plani Nacional për Stroke” nuk është projekt lokal apo personal i ndonjë kryetari komune apo kandidati për kryetar,…

Lajme
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka reaguar ndaj keqinterpretimeve që lidhen me “Planin Nacional për Stroke”, duke i cilësuar si të papranueshme tentimet për keqpërdorim politik të këtij projekti shëndetësor.
Në reagim thuhet se “Plani Nacional për Stroke” nuk është projekt lokal apo personal i ndonjë kryetari komune apo kandidati për kryetar, por një program kombëtar i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2023.
Qëllimi i tij është përmirësimi i kujdesit ndaj pacientëve që pësojnë sulm në tru dhe ofrimi i trajtimit të menjëhershëm brenda standardeve ndërkombëtare.
Aktualisht, projekti po zbatohet në fazën pilot në Komunën e Prishtinës, ku është aplikuar qasja “direkt në CT”, që mundëson dërgimin e pacientëve me dyshim për sulm në tru menjëherë në Klinikën e Neurologjisë për diagnostikim dhe trajtim urgjent.
ShSKUK thekson se ky është projekt i udhëhequr nga Ministria e Shëndetësisë dhe i realizuar nga një grup punues profesional kombëtar në bashkëpunim me institucionet shëndetësore publike, shërbimet e urgjencës dhe Klinikën e Neurologjisë në QKUK.
“Ky projekt është rezultat i një pune të përbashkët ndërinstitucionale dhe profesionale, mbi baza të provuara shkencore, dhe nuk lidhet me meritë të një individi apo subjekti politik”, thuhet në reagim.