Ndeshja Serbi – Shqipëri pa tifozë dhe me masa të rrepta sigurie
Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) ka njoftuar se për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Dubocica” të Leskovacit, nuk do të ketë bileta në shitje për publikun. Ky vendim është marrë nga Komiteti i Emergjencave i FSS-së, në përputhje me vlerësimin e FIFA-s, udhëzimet e Ministrisë…

Sport
Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) ka njoftuar se për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Dubocica” të Leskovacit, nuk do të ketë bileta në shitje për publikun.
Ky vendim është marrë nga Komiteti i Emergjencave i FSS-së, në përputhje me vlerësimin e FIFA-s, udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, konsultimet me UEFA-n dhe përvojën e keqe nga ndeshja e ndërprerë në vitin 2014.
Sipas njoftimit zyrtar, pjesëmarrja në tribuna do të sigurohet vetëm përmes shpërndarjes së biletave të personalizuara për komunitetin e futbollit – federatat rajonale, klubet, nxënësit e shkollave të futbollit dhe prindërit e tyre, organizatat profesionale, sponsorët, mediat e akredituara, si dhe stafet mjekësore e organizative.
Në hyrje të stadiumit do të zbatohen kontrolle të rrepta sigurie, ndërsa çdo person do të duhet të paraqesë dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë), në përputhje me standardet më të larta të sigurisë.
FSS ka kujtuar se ndeshja e tetorit 2014 mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd u ndërpre, çka solli pasoja të rënda për kombëtaren serbe, përfshirë humbjen e një vendi në Kampionatin Evropian 2016.
Për këtë arsye, ndeshja e ardhshme është shpallur me rrezikun më të lartë të sigurisë nga FIFA, Ministria e Brendshme e Serbisë dhe vetë federata. FIFA do të dërgojë dy oficerë sigurie në Leskovac, ndërsa nuk do të ketë tifozë mysafirë në tribuna.
“Federata e Futbollit të Serbisë u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që përmes sjelljes së tyre të kontribuojnë në një atmosferë të drejtë dhe sportive, në mënyrë që kombëtarja jonë të ketë kushtet më të mira për rezultat pozitiv në fushë”, thuhet në fund të njoftimit.