Publikohet fotografia e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Procesit të Brdo-Bijunit

Sot, në Durrës po mbahet Samiti i Procesit të Brdo-Bijuni, i cili ka mbledhur liderët e Ballkanit Perëndimor. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj që është nikoqir i këtij Samiti, ka publikuar fotografinë e përbashkët të liderëve të Ballkanit Perëndimor. “Së bashku në Samitin e Procesit të Brdo Brijunit një platformë e rëndësishme për bashkëpunimin rajonal…

Lajme

06/10/2025 12:45

Sot, në Durrës po mbahet Samiti i Procesit të Brdo-Bijuni, i cili ka mbledhur liderët e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj që është nikoqir i këtij Samiti, ka publikuar fotografinë e përbashkët të liderëve të Ballkanit Perëndimor.

“Së bashku në Samitin e Procesit të Brdo Brijunit një platformë e rëndësishme për bashkëpunimin rajonal për të cuar përpara integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Begaj. 

Tema e samitit të sivjetshëm është “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”.

Takimi do të përqendrohet në të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin.

Derisa Kosova ngel vendi i vetëm nga rajoni që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në BE, Shqipëria ka shënuar përparim të madh kohëve të fundit duke i hapur shumicën e kapitujve të negociatave për anëtarësim, me vendet e tjera që kanë ngecur në këtë pikë.

Sa i përket Planit të Rritjes së BE-së, një paketë prej 6 miliardë eurosh e miratuar më 2023, të gjitha vendet e rajonit i kanë pranuar mjetet e para, ndërsa Kosova dhe Bosnja ende jo.

Kosovës po i kushton mungesa e një Kuvendi të ri, pas zgjedhjeve të shkurtit, pasi i duhet ta ratifikojë marrëveshjen e nevojshme fillimisht, ndërsa Bosnja s’e ka dorëzuar ende agjendën e kërkuar të reformave tek autoritetet evropiane.

Kosova po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani në këtë samit, ku po marrin pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ai i Malit të Zi Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjës, si dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska-Davkova.

Samiti vjen në një moment kyç për Ballkanin Perëndimor, ku përveç temës së integrimit evropian, do të trajtohen edhe çështje që lidhen me forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e stabilitetit politik në rajon.

Ky samit gjithashtu i sjell Osmanin dhe Vuçiqin përballë për herë të parë pas një shkëmbimi akuzash ndaj njëri-tjetrit kohëve të fundit në lidhje me sigurinë në rajon.

Osmani tha në fundjavë se “thirrjet e pamatura” të presidentit serb për luftë janë jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit.

Reagimi i Osmanit erdhi pasi Vuçiq tha të premten se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.

Edhe Vuçiq po i referohej komenteve të mëparshme të presidentes kosovare kur foli për luftën, pasi javën e kaluar në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë, Osmani i kishte bërë thirrje Evropës t’i parandalojë “taktikat agresive dhe destabilizuese” të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.

Takimi po organizohet nga presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, dy prej nismëtarëve të samitit, nën udhëheqjen e presidentit shqiptar Begaj, si nikoqir i takimit në Durrës.

Kjo nismë rajonale, e nisur në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, si dhe të lehtësojë përpjekjet e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.