Kryetari i Kamenicës shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të 10 vjeçarit në aksidentin në Kamenicë

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka shprehur ngushëllime për vdekjen e 10 vjeçarit, Linor Bajrami në një aksident trafiku në Novosellë të Kamenicës. Ai ka thënë se sot ishte mëngjes i trishtë për Kamenicën, shkruan lajmi.net. “Me pikëllim të madh morëm lajmin për aksidentin e rëndë që ka ndodhur mbrëmë në Novosellë, ku…

Lajme

06/10/2025 10:27

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka shprehur ngushëllime për vdekjen e 10 vjeçarit, Linor Bajrami në një aksident trafiku në Novosellë të Kamenicës.

Ai ka thënë se sot ishte mëngjes i trishtë për Kamenicën, shkruan lajmi.net.

“Me pikëllim të madh morëm lajmin për aksidentin e rëndë që ka ndodhur mbrëmë në Novosellë, ku ka humbur jetën vogëlushi Linor Bajrami. Të lënduarit e tjerë po marrin trajtimin e nevojshëm shëndetësor. Ngjarje të tilla jo vetëm që na thyejnë zemrën, por na rikujtojnë se sa i domosdoshëm është kujdesi i shtuar, si nga institucionet e rendit, ashtu edhe nga secili prej nesh. Jemi pranë familjes Bajrami në këto ditë të rënda dhe ndajmë dhimbjen e tyre të gjithë bashkë”, ka shkruar Rahimaj në Facebook.

Për vdekjen e 10 vjeçarit, Linor Bajrami, ka njoftuar edhe familja e tij.

“Miq e dashamir ju njoftojm qe sot me 5 Tetor ndërroj jet ne nje aksident me i dashuri jon Linor Bardhyl Bajrami ne moshen 10 vjeqare , per kohen e daten rreth varrimit ju njoftojm”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me aksidentin ka dhënë detaje Policia e Kosovës.

“Fsh. Novosellë, Kamenicë / 05.10.2025 – 18:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti derisa ishte duke drejtuar veturën dyshohet se nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës ka humbur kontrollin mbi veturë dhe ka dalë jashtë rrugës duke goditur kështu anësoret e metalit. Si pasojë viktima mashkull kosovar/pasagjer në veturë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa lëndime ka pësuar edhe pasagjeri  tjetër mashkull kosovar si dhe vet drejtuesi-i dyshuari. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari-drejtuesi është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia. /Lajmi.net/