Samiti i Brdo-Brijunit në Tiranë, Begaj pret liderët rajonal – Fokus çështjet që prekin Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të mikpres në datat 5 dhe 6 tetor në Shqipëri udhëheqësit e vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijuni-t. Samiti 2-ditor i Brdo-Brijunit mbahet këtë vit në Shqipëri. Në fokus pritet të jenë çështjet që prekin rajonin, si dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor. Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin…

Lajme

05/10/2025 16:42

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të mikpres në datat 5 dhe 6 tetor në Shqipëri udhëheqësit e vendeve anëtare të Procesit të Brdo-Brijuni-t.

Samiti 2-ditor i Brdo-Brijunit mbahet këtë vit në Shqipëri. Në fokus pritet të jenë çështjet që prekin rajonin, si dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor.

Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë.

Veç Seancës Plenare dhe Konferencës për Shtyp që Presidenti Begaj do të mbajë së bashku me homologët e Sllovenisë dhe Kroacisë, (shtetet bashkëkryesuese të “Brdo –Brijuni-t”), përgjatë punimeve të këtij samiti janë parashikuar edhe takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.

Ky samit pritet të dalë me konkluzionet përkatëse, të cilat konsiderohen si shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresit të tyre.

Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijuni-t, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së.

Agjenda e samitit:

E hënë, 6 tetor 2025

10:30-10:50 -Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes.

Pritja e krerëve të delegacioneve nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviç.

Foto familjare.

11:00-13:00- Seanca plenare.

11:05- Fjala hapëse nga Presidenti Begaj.

13:00- Konferenca e përbashkët për shtyp e Presidentëve: Begaj, Pirc Musar dhe Milanoviç.