​“Zgjedhjet e reja, të domosdoshme”: VV-ja do marrëveshje politike për formimin e një qeverie të përkohshme

Zgjedhjet e reja parlamentare janë të domosdoshme, thotë kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Ajo vlerëson që, paraprakisht, duhet të arrihet një marrëveshje politike në Kuvend për formimin e një qeverie të përkohshme me agjendë vetëm legjislative, në mënyrë që të miratohet projektbuxheti për vitin 2026, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që ndërlidhen me fondet e…

Lajme

04/10/2025 10:44

Zgjedhjet e reja parlamentare janë të domosdoshme, thotë kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo vlerëson që, paraprakisht, duhet të arrihet një marrëveshje politike në Kuvend për formimin e një qeverie të përkohshme me agjendë vetëm legjislative, në mënyrë që të miratohet projektbuxheti për vitin 2026, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që ndërlidhen me fondet e Bashkimit Evropian për Kosovën.

Kusari-Lila, e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e pranon që nuk i kanë numrat për formimin e qeverisë së re, edhe në rast se rifillojnë negociatat me Nismën Socialdemokrate.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas zgjedhjeve të fundit parlamentare më 9 shkurt.

Kusari-Lila, në një intervistë për KosovaPress, është më e rezervuar për të komentuar njoftimin e Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar, derisa thotë se duhet të pritet publikimi i aktgjykimit të plotë.

Ajo thotë se në situatën aktuale politike s’ka zgjidhje tjetër më të favorshme përveç mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në nivel nacional. Sipas saj, kjo formë do të ofronte një qartësi më të madhe në mundësinë e koalicioneve të reja.

“Unë mendoj që zgjedhjet janë të domosdoshme për shkak se ka kaluar një kohë e gjatë, kanë kaluar gjashtë muaj prej fillimit të seancës konstituive, ndërsa janë tetë muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe ne ende sot nuk kemi Kuvend të konstituuar. Në situatën e tillë, vendimi më demokratik dhe në përputhje edhe me obligimin që e kemi si përfaqësues të popullit ndaj qytetarëve që na kanë votuar, është që të kthejmë mandatin te ta. Nëse për tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe gjashtë muaj pas thirrjes së seancës së parë konstituive ne jemi në këtë situatë çfarë jemi sot, ne duhet t’iu drejtohemi kutive të votimit. Secili nga pozicioni që ka, të tregojë e të kërkojë nga qytetarët qartësi për rrugëtimin tutje…19:17 Në situatën aktuale nuk po shoh zgjidhje tjetër më të favorshme sesa mbajtja e një palë zgjedhjesh të jashtëzakonshme të nivelit nacional, e cila pastaj do të ofronte qartësi edhe në mundësinë e koalicioneve”, nënvizon Kusari-Lila.