Vrasja e dyfishtë në Kolovicë, njëri i akuzuar deklarohet i pafajshëm, tre të tjerë në arrati
Në gjykimin ndaj Naim dhe Ahmet Berishës, Kaltrim Gashi dhe Lum Halimaj, ky i fundit u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzat për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë të Prishtinës. “Nuk e pranoj fajësinë për veprat penale për të cilat po akuzohem”, thuhet të ketë deklaruar Halimaj sipas procesverbalit të shqyrtimit fillestar, që “Betimi për…

Lajme
Në gjykimin ndaj Naim dhe Ahmet Berishës, Kaltrim Gashi dhe Lum Halimaj, ky i fundit u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzat për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë të Prishtinës.
“Nuk e pranoj fajësinë për veprat penale për të cilat po akuzohem”, thuhet të ketë deklaruar Halimaj sipas procesverbalit të shqyrtimit fillestar, që “Betimi për Drejtësi” e ka siguruar.
Gjykimi u mbajt në mungesë ndaj të akuzuarve Naim dhe Ahmet Berisha, si dhe Kaltrim Gashi, pasi që të njëjtit ndodhen në arrati.
Gjykatësja e rastit, Altn Murseli, ka njoftuar mbrojtësin e Naimit, avokatin Naim Rudari; Ahmetit, avokatin Xhemajl Ademaj dhe Hivzi Bajraktarin; Kaltrimit, avokatin Naser Sopjani; si dhe mbrojtësin e Halimajt, avokatin Fanol Krasniqi, për të drejtën e kundërshtimit të provave dhe paraqitjes së kërkesës për hudhjen e aktakuzës brenda 30 ditësh.
Në seancë ka qenë prezent, sipas procesverbalit, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Linditia Keqekolla-Gsahi, dhe e dëmtuara Elmendina Mavriqi. Nuk kanë qenë prezent Qamil dhe Shkurte Gashi, ndërsa aktakuza është përfaqësuar nga prokurori Bashkim Zeqaj.
Më 20 shtator, “Betimi për Drejtësi” ka publikuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës e ngritur ndaj Naim dhe Ahmet Berishës, Lum Halimajt dhe Kaltrim Gashit për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 26 mars 2024 në Kolovicë të Prishtinës, ku viktima mbetën E.H. dhe Z.G.
Sipas aktakuzës, palët e armatosura u përplasën për motive hakmarrjeje të lidhura me tregtinë e narkotikëve, duke shkaktuar edhe lëndime të tjera të rënda. Të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”. Naim dhe Ahmet Berisha, si dhe Kaltrim Gashi, ndodhen ende në arrati.