Ali Ahmeti: U përgjova nga maqedonasit kur flisja për Specialen – provat në Hagë, të inskenuara nga serbët

Politikani shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, deklaroi se ka qenë subjekt përgjimesh nga shërbimet e sigurisë maqedonase. Ai u shpreh se këto përgjime dëshmojnë përkushtimin e tij për të votuar Gjykatën Speciale me qëllimin e vetëm për të nxjerrë në dritë të vërtetën mbi luftën në Kosovë. “Unë jam i përgjuar nga Maqedonia…

Lajme

03/10/2025 13:58

Politikani shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, deklaroi se ka qenë subjekt përgjimesh nga shërbimet e sigurisë maqedonase.

Ai u shpreh se këto përgjime dëshmojnë përkushtimin e tij për të votuar Gjykatën Speciale me qëllimin e vetëm për të nxjerrë në dritë të vërtetën mbi luftën në Kosovë.

“Unë jam i përgjuar nga Maqedonia dhe në ato përgjime shihet qartë se si flas me deputetë për ta votuar Gjykatën Speciale, jo që ajo të devijojë apo të krijojë dëshmitarë të rremë, por që e vërteta të dalë në pah, e vërteta që është fshehur në librin e verdhë”, u shpreh Ahmeti për “Euronews”.

Ai theksoi se nuk pranon që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të gjykohet për ngjarje që, sipas tij, janë të inskenuara nga vetë shërbimet serbe.

“Si mund ta gjykosh UÇK-në për rastin e Pejës, ku u vranë 9 serbë? Më vonë doli se ishte vetë organizim i shërbimeve serbe. Ashtu si rasti i Martinoviqit, që dhunoi veten dhe akuzoi shqiptarët”, deklaroi ai.

Ali Ahmeti ngriti shqetësimin se shumë prej akuzave që rëndojnë mbi shqiptarët janë pjesë e dezinformimit nga shërbimet e fshehta serbe.

Ai shtoi se qëllimi i tyre nuk ka qenë kurrë të bëjnë krime, por të ndërtojnë një strukturë të organizuar ushtarake për mbrojtje dhe çlirim, gjë që nuk u arrit plotësisht për shkak të dinamikave të kohës.

“Objektivi ynë ka qenë të ndërtojmë strukturën ushtarake, por nuk arritëm te ky objektiv, sepse zhvillimet ishin aq të forta sa gjithkush vepronte ku donte. Nuk u arrit të krijohej një hierarki për një ushtri të mirëfilltë”, tha Ahmeti.

Ndërsa në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, Ali Ahmeti, kreu i BDI-së, i cilësoi këto zgjedhje si një referendum shqiptaro-maqedonas, ndërsa shigjetoi kryeministrin Hristijan Mickoski duke thënë se ai nuk mund të bëjë sukses në politikë në kurriz të shqiptarëve dhe pa respektuar legjitimitetin e tyre.

Ai tha se i ka bërë thirrje VLEN-it që të tërhiqet nga koalicioni me Mickoskin për t’i dhënë fund politikave të degradimit të çështjes shqiptare dhe se ka propozuar që gjithë faktori shqiptar të bëhet bashkë rreth një platforme në mbrojtje paqësore të marrëveshjes së Ohrit.

“Tetori është referendum shqiptaro-maqedonas. Nuk mundet Hristjani të jetë i suksesshëm në politikë pa respektuar legjitimitetin e kombit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Këto politika të degradimit të çështjes shqiptare nuk i bëjnë mirë as Hristjan Mickoskit as shqiptarëve që ai ka aty të paligjshëm. Ne ju kemi bërë thirrje disa herë partive të VLEN-it që ta braktisin koalicionin dhe të bëhemi të gjithë bashkë rreth një platforme në mbrojtje në mënyrë paqësore të marrëveshjes së Ohrit. Politikat suksesshme bëhen me politika që kanë legjitimitet, përfshirja e drejtë, demokracia konsensuale janë baza e marrëveshjes së Ohrit. Ne nuk duam të bëhemi shkaktarë të krizave, duam të kontribuojmë dhe kemi kapacitetin që ta shtyjmë vendin përpara”, tha ai.

Ali Ahmeti tregoi një detaj të takimeve me Mickoskin, ku tha se ky i fundit fillimisht në një takim i kishte propozuar që në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale të tetorit të zhvilloheshin dhe zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, ndërsa më pas kishte ndryshuar mendje.

Ahmeti tha se para këtyre zgjedhjeve Bashkimi Demokratik është shumë i fortë dhe mbështeti opsionin që bashkë me zgjedhjet lokale të mbaheshin edhe zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme.

“Bashkimi Demokratik për Integrim është dhe shumë më i fortë. Sa u takon zgjedhjeve parlamentare, ato janë një domosdoshmëri që të ndodhin. Kemi biseduar më herët me zotin Mickoski dhe kemi patur një vendim për t’i përcjellë mendimet në partitë tona që bashkë me zgjedhjet lokale të zhvilloheshin edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, mirëpo në takimin e dytë ai kishte bërë një tërheqje dhe kishte opsione të reja. Unë mbeta në opsionin e parë që ai më kishte propozuar mua, që të shkojmë edhe në zgjedhje lokale edhe të përgjithshme njëkohësisht”, tha Ali Ahmeti.