Rubin për dëshminë e tij në Hagë: Gjyqtarët më bënin pyetje që më dukeshin tepër të njëanshme – ky tribunal duhet t’i shpallë ata të pafajshëm

Ish-zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk kishte një rol udhëheqës në strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës. Rubin e dha këtë deklaratë në një intervistë për gazetaren e njohur Christiane Amanpour, pas përfundimit të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në…

Lajme

03/10/2025 14:00

Ish-zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk kishte një rol udhëheqës në strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.

Rubin e dha këtë deklaratë në një intervistë për gazetaren e njohur Christiane Amanpour, pas përfundimit të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, transmeton lajmi.net.

“Nuk është e vërtetë që të gjithë shqiptarët urrejnë serbët dhe të gjithë serbët urrejnë shqiptarët. Por ky gjyq po fajëson liderët e UÇK-së për gjëra që ata nuk kishin kontroll. Ishte shumë e qartë se z. Thaçi, një djalë i ri në atë kohë, nuk kishte kontroll mbi asgjë,” u shpreh Rubin.

Ish-diplomati amerikan tha se ishte i befasuar nga qasja e disa prej gjyqtarëve, të cilët, sipas tij, bënin pyetje që tingëllonin si të anshme dhe jo të motivuara nga kërkimi i fakteve.

“Gjyqtarët, për befasinë time, më bënin pyetje që më dukeshin tepër të njëanshme. Nuk tingëllonin si pyetje që kërkonin të gjenin fakte. M’u duk sikur disa prej tyre tashmë kishin vendosur se UÇK-ja ishte një organizatë e strukturuar me Thaçin në krye – gjë që nuk është e vërtetë,” theksoi ai.

Rubin kërkoi që Tribunali në Hagë të bëjë gjënë e duhur, duke liruar ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Ky tribunal duhet të bëjë gjënë e duhur, duhet t’i shpallë ata të pafajshëm. Pastaj Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të ulen me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe të rregullojnë këtë problem,” tha ai.

Në fund të intervistës, Rubin u shpreh i shqetësuar për situatën aktuale në rajon, duke e cilësuar Ballkanin si një zonë të frikshme, megjithatë jo si një zonë lufte.

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, dëshmoi në Hagë se Hashim Thaçi nuk kishte mundësi të nënshkruante marrëveshjen, pasi delegacioni shqiptar i pranishëm në Rambuje duhej të konsultohej më parë me komandantët në Kosovë.

Dëshmia e Rubin ishte në mbështetje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai tregoi se gjatë periudhës 1997–2000 kishte shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënës kryesor që raportonte drejtpërdrejt tek sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madeleine Albright.

Deklaratat e Rubin vijnë në një kohë kur procesi në Hagë ndaj Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij po vazhdon të ngjallë debate dhe reagime të shumta, si në Kosovë ashtu edhe në qarqet ndërkombëtare diplomatike./lajmi.net/