Kosova i bashkohet Koalicionit Evropian Kundër Drogës – Osmani: Do të kontribuojmë në një Evropë më të sigurt

Kosova i është bashkuar zyrtarisht Koalicionit Evropian Kundër Drogës (ECAD), një nismë e re që ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes vendeve evropiane në luftën kundër trafikimit dhe abuzimit me drogë. Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Kopenhagë ku u mbajt Samiti i Komunitetit…

Lajme

03/10/2025 11:52

Kosova i është bashkuar zyrtarisht Koalicionit Evropian Kundër Drogës (ECAD), një nismë e re që ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes vendeve evropiane në luftën kundër trafikimit dhe abuzimit me drogë.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Kopenhagë ku u mbajt Samiti i Komunitetit Politik Evropian (EPC). Ajo tha se kjo është një hap i rëndësishëm në përkushtimin e Kosovës për të qenë pjesë aktive në mekanizmat evropianë të sigurisë, transmeton lajmi.net.

“Dje në Kopenhagë, Kosova iu bashkua Francës, Italisë dhe partnerëve të tjerë evropianë në themelimin e Koalicionit Evropian Kundër Drogës (ECAD). Përmes këtij mekanizmi, do të sigurohet koordinim më i gjerë evropian në luftën kundër trafikimit dhe abuzimit me drogë,” tha Osmani.

Presidentja theksoi gatishmërinë e Kosovës për të dhënë kontribut konkret në këtë nismë, duke theksuar se vendi ynë tashmë ka dëshmuar angazhim serioz në këtë fushë.

“Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj dhe, ashtu siç kemi bërë deri më tani, të luftojmë këto dukuri në mënyrë efektive,” shtoi ajo.

Osmani nënvizoi gjithashtu se bashkëpunimi me partnerët evropianë është çelësi për ta mbrojtur kontinentin nga sfidat e përbashkëta të sigurisë.

“Do të punojmë ngushtë me partnerët tanë, në mënyrë që Evropa të mbetet e sigurt, e bashkuar dhe e vendosur përballë kësaj sfide”, shkroi presidentja./lajmi.net/