Debutim heroik në Evropë – Drita nxjerr pikën historike në Finlandë!
Drita ka shkruar historinë në debutimin e saj në fazën grupore të Ligës së Konferencës, duke arritur një barazim të vlefshëm 1:1 ndaj ekipit finlandez KuPS, në ndeshjen e parë të Grupit B. Kampionia e Kosovës tregoi karakter dhe lojë të organizuar në një përballje sfiduese në transfertë, duke siguruar pikën e parë historike në…

Sport
Drita ka shkruar historinë në debutimin e saj në fazën grupore të Ligës së Konferencës, duke arritur një barazim të vlefshëm 1:1 ndaj ekipit finlandez KuPS, në ndeshjen e parë të Grupit B.
Kampionia e Kosovës tregoi karakter dhe lojë të organizuar në një përballje sfiduese në transfertë, duke siguruar pikën e parë historike në një garë evropiane të kësaj faze.
Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani e nisi mirë takimin, duke krijuar më shumë raste në pjesën e parë, por nuk arriti të konkretizonte.
Pavarësisht dominimit të lehtë, Drita u ndëshkua në minutën e 74-të, kur sulmuesi Piotr Parzyszek përfitoi nga një pasiguri në mbrojtje dhe shënoi për KuPS-in.
Megjithatë, reagimi i gjilanasve ishte i menjëhershëm. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Albert Dabiqaj realizoi një gol të artë, duke barazuar shifrat në minutën e 80-të, transmeton lajmi.net.
Ky barazim jo vetëm që konfirmon potencialin e kampionëve të Kosovës, por edhe jep sinjale të qarta se Drita është gati të përballet denjësisht me çdo kundërshtar në këtë kompeticion.
Ndeshjen e radhës, Drita do ta zhvillojë më 23 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku do të presë ekipin qipriot të Omonias, në përpjekje për të shkruar kapitullin e radhës në aventurën evropiane./lajmi.net/