Ali Ahmeti anulon të gjitha aktivitetet partiake në ditën e fundit të fushatës, do të marrë pjesë në protestën për UÇK-në në Tiranë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka anuluar të gjitha aktivitetet partiake të planifikuara për 17 tetor, ditën e fundit të fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Në të njëjtën ditë, Ahmeti do të marrë pjesë në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që do të zhvillohet në…

Lajme

02/10/2025 12:03

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka anuluar të gjitha aktivitetet partiake të planifikuara për 17 tetor, ditën e fundit të fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Në të njëjtën ditë, Ahmeti do të marrë pjesë në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që do të zhvillohet në Shqipëri.

Kjo është bërë e ditur në një komunikatë për media nga BDI, transmeton KosovaPress.

“Ali Ahmeti, i cili ishte i pranishëm edhe në protestën e organizuar në Prishtinë, në cilësinë e bashkëthemeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka pranuar ftesën e organizatorëve për të qenë pjesë e kësaj proteste të madhe mbarëkombëtare. Për BDI-në dhe Kryetarin e saj, lufta e popullit shqiptar e prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e drejtë, e domosdoshme dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike, perëndimore dhe liridashëse. Paslufta dhe proceset e panumërta gjyqësore, vendore e ndërkombëtare, kanë dëshmuar qartë çiltërsinë e asaj lufte për liri, demokraci dhe pavarësi”, thuhet në njoftim.

Protesta e 17 tetorit do të mbahet në sheshin “Skdënderbej” në Tiranë, me kërkesën për drejtësi për ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Drejtësia për popullin shqiptar nuk mund të ndërtohet mbi procese politike të imponuara nga Rusia, as mbi ‘dëshmi’ të fabrikuara nga Serbia. Kryetari Ali Ahmeti është pjesë e pandarë e luftës për lirinë e kombit shqiptar dhe për këtë arsye mbështet fuqishëm protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, duke anuluar të gjitha aktivitetet partiake zgjedhore”, thuhet në njoftimin e BDI.