“Kosova nuk ka politikë të jashtme, ka kakofoni” – Si komentohet diplomacia kosovare nga njohësit e fushës
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë ditës ka zhvilluar takime me dhjetë kongresistë dhe senatorë amerikanë nga të dy partitë, demokratë dhe republikanë. Ai tha se temë diskutimi ishte bashkëpunimi mes Kosovës dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit. “Bashkëpunimi Kosovë–ShBA në mbrojtje dhe në zhvillim ishte ndër thekset…

Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë ditës ka zhvilluar takime me dhjetë kongresistë dhe senatorë amerikanë nga të dy partitë, demokratë dhe republikanë. Ai tha se temë diskutimi ishte bashkëpunimi mes Kosovës dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit.
“Bashkëpunimi Kosovë–ShBA në mbrojtje dhe në zhvillim ishte ndër thekset kryesore në çdo takim. Mbështetja dypartiake për Kosovën në Capitol Hill, për të cilën jemi mirënjohës, është përparësia dhe veçantia e raporteve tona.”
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Jashtme në Detyrë Donika Gërvalla shkuan në SHBA në kuadër të javës së takimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Por pavarësisht takimeve të zhvilluara në margjina të Asamblesë Parlamentare të OKB-së, ambasadori i karrierës, Albert Prenkaj, ngre alarmin se Kosova tash e sa kohë ka mbetur pa diplomaci.
“Kosova nuk ka politikë të jashtme, ka kakofoni në kuadër të politikës së jashtme që trajtohet nga niveli më i lartë nga mbajtësi i detyrës së kryeministrit dhe mbajtësja e detyrës së ministres së jashtme Gërvalla Shvarz, ka kakofoni, ka mos-koordinim dhe si rezultat kemi një politikë të jashtme që është e padukshme dhe ka këso gabime që shkaktojnë probleme trashanike dhe si duket do të shkaktojë probleme edhe për qeveritë që vijnë pas saj”, tha Prenkaj për rtv21.
Kurti, për 5 ditë të vizitës së tij në SHBA, nuk ka zhvilluar asnjë takim në shtëpinë e bardhë apo me ndonjë zyrtarë të lartë të administratës Trump. Megjithatë, qeveria në detyrë njoftoi se krahas takimeve të Kurtit me diasporën shqiptare në SHBA, ai u takua edhe me tre kryeministra shtetesh, dhe një numër kongresistësh dhe senatorësh amerikan. Ndërkohë, takimet me kongresistët amerikan, ish-ambasadori, Muhamet Hamiti, thotë se janë në nivel homologësh.
“Liderët tanë qëndruan një javë a sa ishin atje në kuadër të javës së OKB-së, kanë pasur mundësi të takohen për 1-2 ditë ata qëndruan më gjatë, dhe të themi se Kurti është deputet dhe këto takime po bëhen në nivel deputetesh pra po takohet me deputet atje.”, tha Hamiti.
Përveç kritikave lidhur me vizitën dhe takimet e Kurtit në SHBA, një deklaratë e kryeministrit në detyrë Kurti gjatë kohës kur po mbante një ligjëratë para një numri studentësh në SHBA nxiti valë reagimesh. Kurti duke folur për pezullimin e dialogut strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës, tha se nuk është problem i tij që SHBA-ja po tenton ta shkëpus Serbinë nga Federata Ruse, gjë e cila sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare ishte deklaratë e pamatur e cila nuk do të kalojë pa pasoja.
Prenjak thotë se deklaratat e tij ishin një kërcënim nën bel të cilat i kushtojnë Kosovës.
“Janë deklarata të papjekura, sepse një lider i vërtetë e nxjerrë Kosovën nga pozita që është por si duket ky person mbajtës i pozitës së kryeministrit ka vendosur që t’i shkojë deri në fund qëndrimit të tij dhe pa marr parasysh deklaratave që është pro amerikan lëvizja e tij tregon që është trajektore komplet tjetër e politikes së jashtme të Kosovës”.
Ndryshe qeveria Kurti në vazhdimësi ishte cak i kritikave sa i përket politikës së jashtme, meqë, në 4 vjet të qeverisë Kurti, Kosova nuk mori asnjë njohje dhe u vendos nën masa të BE-së të cilat janë ende në fuqi dhe i kanë shkaktuar qindra miliona euro dëme ekonomike vendit.