Flet avokati: Padia ndaj Dimal Bashës e pabazë, do të kundërshtohet në mënyrë të argumentuar përmes ankesës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Dimal Basha është dënuar për shpifje nga Gjykata Themelore e Ferizajt, duke u detyruar që të paguajë 25 mijë euro si kompensim. Për këtë dënim, avokati i Bashës, Fitim Shabani ka thënë se padia ndaj klientit të tij është e pabazë dhe se do të kundërshtohet në mënyrë të argumentuar…

Lajme
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Dimal Basha është dënuar për shpifje nga Gjykata Themelore e Ferizajt, duke u detyruar që të paguajë 25 mijë euro si kompensim.
Për këtë dënim, avokati i Bashës, Fitim Shabani ka thënë se padia ndaj klientit të tij është e pabazë dhe se do të kundërshtohet në mënyrë të argumentuar përmes ankesës.
Avokati Fitim Shabani ka thënë për KosovaPress se ky është rasti i tretë për gjykim, pasi dy të parat ishin refuzuar. Ai ka thënë se vendimin e kanë pranuar dhe se ankesën ende nuk e kanë dorëzuar pasi që është në fazë të përgatitjes. Ai ka shtuar se kjo padi nuk ka bazë dhe në momentin se kur të përgatitet ankesa do të bëhet publike.
“Nuk është ky vendimi i parë, i cili është nxjerrë, ky është rasti për herë të tretë për gjykim. Në dy seancat e para kur është gjykua, njëherë është anuluar për shkaqe procedurale padija e paditësit, herën e dytë është refuzuar, tash për herë të tretë në rigjykim, iu është aprovuar në shkallë të parë, vendimin e kemi pranuar dje, ankesën akoma nuk e kemi dorëzuar, jemi në fazë të përgatitjes. Ne kemi besuar dhe besojmë që nuk ka asnjë bazë kjo padi dhe patjetër që edhe ankesën kur ta përgatisim do ta bëjmë publike dhe me pa argumentet tona cilat kanë qenë”, ka thënë Shabani.
Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha është dënuar dje nga gjykata për shpifje, duke u obliguar të paguajë 25 mijë euro kompensim dhe të kërkojë falje ndaj një biznesmeni nga Ferizaj. Basha përmes vendimit të gjykatës detyrohet ta tërheqë shkrimin editorial të tij, të publikuar në media para 6 vjetësh.
Kujtojmë, në vendimin e parë Gjykata e Ferizajt kishte hedhur padinë kundër Dimal Bashës. Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e gjykatës së shkallës së pare, por e kishte çështjen në rigjykim për çështje procedurale. Pas kësaj gjykata e shkallës së parë kishte marrë vendim, përmes të cilit është vendosur në mënyrë meritore për çështjen. Me atë vendim, sipas avokatit të Bashës, është refuzuar padia. Me vendim të Gjykatës së Apelit çështja është kthyer përsëri në rigjykim.
Aktvendimin gjykata e ka marrë në korrik 2025, por palëve të përfshira u ka shkuar më 30 shtator 2025. Sipas Gjykatës dhe vendimit të marrë tashmë kundër Bashës e gjithë kjo procedurë kishte nisur pas një shkrimi në media dhe më pas në disa postime në Facebook./kp