Lladrovci i kundërpërgjigjet Hajdarit: Titullin “kampion” të performancës e kam pas punës së shkëlqyer

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci i është kundërpërgjigjur akuzave të kandidatit për kryetar të komunës së Drenasit nga radhët e PDK-së, Petrit Hajdari. Hajdari sot e cilësoi Lladrovcin si ‘kampion i pazareve dhe abuzimeve’ pas audioincizimit të publikuar në media. Lladrovci për KosovaPress tha se titullin ‘kampion’ e ka marrë pas punës së shkëlqyer dhe bashkëpunimit me…

Lajme

01/10/2025 17:17

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci i është kundërpërgjigjur akuzave të kandidatit për kryetar të komunës së Drenasit nga radhët e PDK-së, Petrit Hajdari.

Hajdari sot e cilësoi Lladrovcin si ‘kampion i pazareve dhe abuzimeve’ pas audioincizimit të publikuar në media.

Lladrovci për KosovaPress tha se titullin ‘kampion’ e ka marrë pas punës së shkëlqyer dhe bashkëpunimit me qytetarë. Sipas tij këtë titull e konfirmojnë ndër vite institucionet më kredibile pas matjes së treguesve të cilët përdoren për vlerësim

“Titullin “kampion” të performancës nuk e kam rastësi por pas punës së shkëlqyer të zyrtarëve dhe bashkëpunimit me qytetarë. Këtë titull ma konfirmojnë ndër vite institucionet më kredibile pas matjes së treguesve të cilët përdoren për vlerësim. Këto institucione kredibile janë ambasadat të cilat e mbështesin dhe financojnë me donacione zhvillimin e pushtetit lokal, Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Në këtë garë të komunave, ne jemi shpallur gjashtë herë kampion, një herë në vend të tretë, edhe këtë vit presim të jemi kampion”, tha ai.

Tutje Lladrovci thotë se asnjë zyrtar komunal nuk është akuzuar dhe nuk është dënuar për vepra penale apo korrupsion.

“Asnjë zyrtar i komunës për nëntë (9) vite as nuk është akuzuar, as nuk është dënuar për vepra penale e as për korrupsion. Pra, të thuhet se ka korrupsion në komunën e Drenasit, është më shumë se shpifje elektorale”, shtoi ai.

Po ashtu, Lladrovci thotë se cilësimet dhe sulmet ndaj tij janë shpifje të cilat nuk ua ka frikën.

“Titullin të cilin ma japin kundërshtarët e mi politikë, opinioni duhet ta dijë se vinë nga mashtrues ordinerë, bijë invalidësh të rremë, urdhërdhënës të profileve te rreme të dënuar me vendime gjyqi për shpifje e ngacmime, bijë të uzurpatorëve dhe mbetjeve të ish regjimit me traditë dezinformatën dhe shpifjen. Pra, shpifjeve të tyre nuk ua kam frikën e as këtyre burimeve të shpifjeve. Kam qenë dhe mbetem kampion i qeverisjes së mirë, performancës me transparencë e llogaridhënie”, përfundoi Lladrovci.

Kujtojmë se sot kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari tha se audioincizimi i publikuar në të cilin raportohet se pjesë e tij është edhe kryetari aktual i Drenasit, Razim Lladrovci tregon një akt skandal, të pa precedentë, turp institucional dhe sipas tij një abuzim flagrant me detyrën publike.

Hajdari tha se ajo që u dëgjua në audioincizim, që raportohet se Lladrovci flet për miliona, sipas tij është dëshmia që korrupsioni ka zënë rrënjë në zyrën e kryetarit aktual të Drenasit.

“Ky nuk është vetëm një lajm i zakonshëm, është një alarm për fatin e komunës sonë. Dy ditë më herët opinioni publik dhe komuna jonë u shokua nga një audioincizim tronditës ku kryetari në largim i Drenasit dëgjohet duke bërë pazare më tokat e komunës si të ishin pronë personale e tij, duke i llogaritur miliona përfitime. Ky skandal nuk është rastësi është fotografia e pastër e qeverisjes së tij. Kur populli numëron centët, kryetari numëron milionat. Ai që thirrej për qeverisje me duar të pastra, tash po del se duart i ka pasur thellë në xhepat e qytetarëve të Drenasit. Kjo është një akt skandal, i pa precedentë, është turp institucional, është abuzim flagrant me detyrën publike dhe pronën e qytetarëve…Kjo është dëshmia që korrupsioni ka zënë rrënjë deri në zyrën e kryetarit në ikje, i mbjellur po nga ai…Është e papranueshme që derisa fëmijët tanë rriten pa kushte elementare, disa shndërrojnë komunën bankomat personal”, tha Hajdari.

Përndryshe, një audio-incizim që ka filluar të qarkullojë që nga dita e djeshme në rrjetet sociale ka përfshirë në qendër të debatit kryetarin aktual të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Në këtë incizim dëgjohet një bisedë ndërmjet Lladrovcit dhe Labinot Halilajt, asamblist dhe biznesmen në këtë komunë, ku flitet për një pronë dhe përfitime të mundshme financiare milionëshe në rast se plotësohen kushtet nga ofertuesi.

Në audio dëgjohet Lladrovci duke thënë se “me këtë pronë fiton 15 milionë euro”, ndërsa Halilaj shprehet mosbesues ndaj kësaj shume.

“Asnjë sen, kot folim na, e di unë… unë nuk i qes pronat pa e pas, pa e pas votën. 40 mijë metra ka 300 euro bëjnë 12 milionë. Po edhe 5 mijë metra, 4 mijë metra unë t’i shtoj mbindërtim, s’merr komuna aty. 19 milionë minus 9 milionë, jo minus 12 milionë, a ke 12 milionë? 7 milionë e gjysa mbesin…me 300 euro 7 milionë e gjysmë, po me 600 a të jesin 15 milionë Lab? Me i shit 20 mijë metra ka 600 euro, 600 euro e gjysmë a të mbesin 12, a të mbesin 10? 10 milionë, a të mesin 5 milionë? Unë po të them që qitu i fiton 15 milionë euro… Ani më jepni mua, unë 15 milionë euro i fitoj”,dëgjohet Lladrovci në audio incizim.

Audioincizimet janë publikuar nga mediumi VOX Kosova./kp