Kurti në ShBA: Mbështetja e republikanëve dhe demokratëve për Kosovën është përparësi dhe veçanti e raporteve tona me Amerikën

Gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme me ligjvënës amerikanë në Nju Jork dhe Washington D.C., duke theksuar përkushtimin e ndërsjellë për forcimin e marrëdhënieve Kosovë–ShBA. I shoqëruar nga zëvendësministrja për Punë të Jashtme, Liza Gashi, ambasadori…

Lajme

01/10/2025 10:59

Gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme me ligjvënës amerikanë në Nju Jork dhe Washington D.C., duke theksuar përkushtimin e ndërsjellë për forcimin e marrëdhënieve Kosovë–ShBA.

I shoqëruar nga zëvendësministrja për Punë të Jashtme, Liza Gashi, ambasadori Ilir Dugolli dhe konsulli i përgjithshëm Blerim Reka, Kurti u takua me dhjetë kongresistë dhe senatorë amerikanë — “prej tyre gjashtë nga radhët e demokratëve dhe katër nga Partia Republikane,” siç bëri të ditur ai.

Në mesin e kongresistëve të takuar ishin Keith Self, Mike Lawler, Jim McGovern, George Latimer, Ritchie Torres dhe Kat Cammack, ndërsa nga Senati u zhvilluan takime me Gary Peters, Jeanne Shaheen, Elissa Slotkin dhe Joni Ernst.

Në deklaratën e tij pas takimeve, Kurti u shpreh: “Bashkëpunimi Kosovë–ShBA në mbrojtje dhe në zhvillim ishte ndër thekset kryesore në çdo takim.” Ai vlerësoi në veçanti përkrahjen e vazhdueshme nga Kongresi dhe Senati amerikan, duke shtuar se “mbështetja dypartiake për Kosovën në Capitol Hill, për të cilën jemi mirënjohës, është përparësia dhe veçantia e raporteve tona”./lajmi.net/