Drejtësia “shuplakë” Bashës – e “qet” dy herë në “rrenë” brenda ditës
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot i ka dhënë një goditje të qartë interpretimit “kreativ” të Kushtetutës nga ana e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, duke konstatuar se Kuvendi nuk është i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Ky vendim vjen si kundërpërgjigje ndaj deklarimeve të Bashës më 30 gusht,…

Lajme
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot i ka dhënë një goditje të qartë interpretimit “kreativ” të Kushtetutës nga ana e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, duke konstatuar se Kuvendi nuk është i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Ky vendim vjen si kundërpërgjigje ndaj deklarimeve të Bashës më 30 gusht, kur ai – në stilin e vet të njëanshëm – e pati shpallur të mbyllur Seancën Konstituive, edhe pse nuk ishte zgjedhur një nga pesë nënkryetarët e Kuvendit, konkretisht ai që përfaqëson komunitetin serb.
Sipas tij, Kuvendi mund të funksionojë edhe pa përmbushjen e kësaj kërkese kushtetuese.
“Janë ezauruar të gjitha opsionet”, pati thënë atëherë Basha, duke improvizuar një përfundim që sot Gjykata e ka hedhur poshtë pa mëdyshje.
Vendimi i Kushtetueses rikthen të vërtetën juridike në binarët kushtetues, përballë një përpjekjeje të dukshme për ta “konstituar” Kuvendin me forcë dhe sipas qejfit.
Ironikisht, ky nuk është lajmi i vetëm i keq për Bashën sot.
Pak orë më parë, ai është dënuar për shpifje nga Gjykata Themelore në Ferizaj, duke u detyruar të kërkojë falje publike dhe të paguajë 25 mijë euro dëmshpërblim ndaj ish-zëvendësministrit Mustafë Grainca.
Me sa duket, për kryeparlamentarin, fundi i shtatorit po mbyllet me një dyfishim jo të kompetencave – por të problemeve ligjore./lajmi.net/