“Standard të njëjtë për të gjithë, ligji nuk njeh privilegje” – Dimal Basha dikur kërkonte barazi para ligjit, sot dënohet me 25 mijë euro për shpifje

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i njohur për qëndrimet e tij publike kundër trajtimit të veçantë ligjor për individë të caktuar dhe për thirrjet për “standard të njëjtë për të gjithë”, është dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj me 25 mijë euro për shpifje dhe fyerje ndaj ish-zëvendësministrit të Financave, Mustafë Grainca. Vendimi…

Lajme

30/09/2025 16:05

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i njohur për qëndrimet e tij publike kundër trajtimit të veçantë ligjor për individë të caktuar dhe për thirrjet për “standard të njëjtë për të gjithë”, është dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj me 25 mijë euro për shpifje dhe fyerje ndaj ish-zëvendësministrit të Financave, Mustafë Grainca.

Vendimi i gjykatës, i publikuar së fundi në media, e obligon Bashën që përveç kompensimit financiar, të kërkojë edhe falje publike për deklaratat që janë cilësuar si cenim i nderit dhe reputacionit të Graincës, raporton lajmi.net

Ky zhvillim vjen vetëm pak javë pasi Basha reagoi fuqishëm ndaj kallëzimit penal të Flutura Kusarit për fyerje ndaj saj – rast i hedhur poshtë nga Prokuroria, duke e cilësuar si përpjekje për trajtim të privilegjuar dhe hipokrizi nga ana e shoqërisë civile dhe gazetarëve.

Në atë reagim, Basha kishte shkruar:

“Ligji nuk njeh privilegje. As për Fluturën, as për askënd tjetër.”

Ai kishte paralajmëruar edhe nismë për kriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes në Kodin Penal, duke u mbështetur në nevojën për rregullim më të ashpër të ofendimeve në epokën e rrjeteve sociale.

“Dikur edhe vetë kam besuar që rruga civile është rruga e duhur për trajtimin e fyerjes dhe shpifjes, mirëpo duke marrë parasysh ndikimin e rrjeteve sociale dhe rritjen eksponenciale të ofendimeve dhe shpifjeve, por edhe për ta parandaluar eskalimin e mëtejmë nga këto ofendime e bullizime – më së shumti si pasojë e mosndëshkueshmërisë nga sistemi i brishtë i drejtësisë – atëherë unë besoj se fyerjet dhe shpifjet duhet të kriminalizohen dhe të normohen në Kodin Penal, siç edhe është në shumë vende evropiane”, shkruante Basha.

Por vendimi i fundit gjyqësor i vë vetë Bashës në pozitën që dikur e kundërshtonte me forcë: të mbajë përgjegjësi ligjore për fjalën e tij publike.

Ironikisht, standardi që dikur e kërkonte për të gjithë – sot po e prek personalisht./Lajmi.net/