Makina luksoze 160 mijë euro e sekuestruar në Suharekë, kërkohej nga autoritetet gjermane

Policia e Kosovës ka sekuestruar një automjet luksoz me vlerë rreth 160 mijë euro, pas një operacioni të zhvilluar në qytetin e Suharekës, në bashkëpunim me autoritetet gjermane. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, më 29 shtator 2025, Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, ka sekuestruar një…

Lajme

30/09/2025 15:31

Policia e Kosovës ka sekuestruar një automjet luksoz me vlerë rreth 160 mijë euro, pas një operacioni të zhvilluar në qytetin e Suharekës, në bashkëpunim me autoritetet gjermane.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, më 29 shtator 2025, Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, ka sekuestruar një Mercedes G63, i prodhuar në vitin 2022, transmeton lajmi.net.

Sekuestrimi është bërë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren, si rezultat i një kërkese nga autoritetet gjermane, të cilat kanë ngritur dyshime se pronari i automjetit ka shmangur detyrimet financiare ndaj kreditorëve në Gjermani.

Sipas të dhënave hetimore, në vend që të përballej me detyrimet financiare, pronari dyshohet se e ka larguar automjetin nga territori i Gjermanisë, për ta fshehur në Kosovë. Pas hetimeve të zhvilluara, automjeti është lokalizuar dhe sekuestruar në Suharekë.

Policia ka bërë të ditur se procedurat e mëtejme ligjore do të zhvillohen në koordinim me institucionet përkatëse të drejtësisë në Kosovë dhe Gjermani.

Ky rast, sipas autoriteteve, është një shembull konkret i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sundimit të ligjit dhe zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për drejtësi dhe siguri,” thuhet në njoftim./lajmi.net/